Banorët e Krushës së Madhe: Rama të mos e përdorë masakrën

EVROPA E LIRE

Banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit kanë kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe politikanë të tjerë shqiptarë, që të mos e përfshijnë në luftën e tyre politike masakrën që ndodhi në këtë fshat në muajin mars të vitit 1999, ku forcat serbe vranë 241 civilë.

Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke përdorur një deklaratë të një qytetari nga Krusha, akuzoi kryetarin e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, për fshehje të dëshmive të krimeve të luftës në Kosovë.

I gjithë debati plasi pasi Milaim Bellanica, një banor i fshatit Krushë e Madhe e Rahovecit, që kishte xhiruar masakrën në këtë fshat, deklaroi për mediat në Shqipëri e Kosovë se xhirimet origjinale ia kishte dhënë në muajin prill, 1999, Lulzim Bashës për të cilin pretendon se ishte përkthyes i disa hetuesve ndërkombëtarë.

Basha më vonë ka punuar në Kosovë në kuadër të Departamentit të Drejtësisë në UNMIK.

Vetë Lulzim Basha i ka mohuar akuzat që janë bërë në drejtim të tij dhe ka thënë se asnjëherë në jetë nuk e ka takuar Milaim Bellanicën.

Përfshirja e maskarës së Krushës së Madhe në luftën politike në Shqipëri, e ka irrituar Selami Hotin, të cilit në luftë iu vranë dy vëllezër, ndërkohë që babai i tij ende është i zhdukur.

“Si familjarë, jemi të indinjuar me gjëra të tilla dhe urojmë që kjo të marrë fund me kaq, ndërsa në të njëjtën kohë të fillohet të punohet seriozisht që kriminelët t'i marrin dënimet e merituara”, thotë Hoti.

Përmes një reagimi të përbashkët, banorët e Krushës së Madhe kanë kërkuar nga qeveritë shqiptare në Prishtinë e Tiranë që çdo dëshmi për krimet në këtë fshat, të përdoret kundër personave që kryen masakrën, e assesi të mos përdoret për qëllime politike mes shqiptarësh.

“Masakra e Krushës nuk bën të përdoret për qëllime të ngushta politike. Kjo është një tragjedi kombëtare. Këtu nuk guxon të gëzohet askush”, thotë Selami Hoti.

Përsëritja e historisë

Kjo nuk është hera e parë që kryetari aktual i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, akuzohet nga kundërshtarët politikë atje për rolin që ka pasur në kuadër të Administratës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK, në Kosovën e pasluftës.

Akuzat e para për Lulzim Bashën filluan në vitin 2005 kur ai garonte për pozitën e deputetit nga radhët e Partisë Demokratike në Shqipëri.

Të njëjtat akuza ishin riaktualizuar edhe në vitin 2011 kur Lulzim Basha fitoi zgjedhjet për të drejtuar bashkinë e Tiranës.

Ndër tjerash, Basha akuzohej nga eksponentë të Partisë Socialiste se kishte marrë pjesë në hetimin e krimeve të supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, e po ashtu se kishte marrë pjesë edhe në hetimet për pretendimet për trafikim të organeve.

Ndërkohë, tani, gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të mbahen në Shqipëri, Lulzim Basha, po akuzohet nga kryeministri Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të Partisë Socialiste se ka zhdukur disa xhirime të masakrës së Krushës së Madhe.

Bledian Koka, gazetar shumëvjeçar dhe njohës i zhvillimeve politike në Shqipëri në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se riaktualizimi i akuzave ndaj Bashës, po bëhen vetëm për ta diskredituar politikisht.

“Në një shtet serioz, assesi nuk mund të ndodhë që vetë klasa politike, vetë shqiptarët të ngrihen në një debat që në fund fare do t’i shtonte akoma dhe më shumë dyshimet qoftë të ndërkombëtarëve me atë se çfarë ka ndodhur gjatë luftës së Kosovës, por qoftë edhe duke i dhënë një asist të panevojshëm Serbisë në këtë rast, e cila ka qenë krejtësisht e unifikuar në qëndrimin që ka mbajtur ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”, thotë Koka.

Koka thotë se politika e Shqipërisë nuk ka bërë sa duhet që të ndërkombëtarizojë kërkesën e Kosovës që të hetohen krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1998-99.

Përhapja e akuzave si këto ndaj Lulzim Bashës, sipas Kokës, kanë shkaktuar dëme të mëdha për Kosovën, sidomos tani kur janë konfirmuar aktakuzat e para ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

“Shqiptarët që bëjnë akuza ndaj shqiptarëve të tjerë për gjoja tradhti apo fshehje kasetash, janë të njëjtit ata që në ditën e parë kur liderët e UÇK-së dolën në gjyq, ishin po këta që firmosnin online me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, marrëveshjen për të çuar përpara marrëveshjen e Mini-shengenit Ballkanik”, thotë Koka.

Koka thotë se Shqipëria duhet të angazhohet që të ndihmojë Kosovën në ushtrimin e presionit ndërkombëtarë, sidomos në gjetjen e personave të pagjetur.

Debat që dëmton ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë

Kushtrim Koliqi nga organizata Integra, thotë se mënyra se si politikanët në Shqipëri janë duke e përdorur masakrën e Krushës së Madhe, tregon se ata nuk kanë fare ndjeshmëri për këtë ngjarje.

“Kjo e dëmton procesin e ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë. Kjo me të vërtetë për mua, po del deri në nivel të patetikës se si ata po e përdorin secilin moment për të çuar përpara agjendat e tyre personale dhe kjo është e dhimbshme”, thotë Koliqi.

Koliqi thotë se jo vetëm rasti i politikanëve në Shqipëri, por edhe politikanët në Kosovë, vazhdimisht kanë keqpërdorur çështjet e krimeve të luftës.

“Po e dëmtojnë shumë sidomos procesin e personave të pagjetur ku janë duke e shkatërruar me ose pa dashje çdo urë të mundshme mes njerëzve që munden të japin informatë apo edhe mes dëshmitarëve që munden të japin ndonjë informatë dhe ta dërgojnë deri në fund çështjen e të pagjeturve”, thotë Koliqi.