E trishtuar, Klodiana Shala flet për operacionin që e largoi përgjithmonë nga pista e vrapimit

Sportistja e njohur Klodian Shala, ka hapur zemrën në një intervistë për 'Abc news', ku ka treguar vështirësitë që e detyruan të tërhiqej nga karriera.

Në vitin 2012, iu nënshtrua një operacioni në shtyllën kurrizore, çfarë e detyroi atë të largohej nga sporti.

Ajo, tregoi se gjendja e saj u rëndua një ditë para garës më të rëndësishme në lojërat Olimpike Londër 2012. 

E trishtuar dhe e përlotur, Klodiana ndan me publikun këtë eksperiencë të hidhur të jetës së saj.

Sportistja, tregon se operacioni u krye në Londër nga 3 mjekët më të mirë në botë.

Dita e operacionit, fatkeqësisht për Klodianën shënoi për të dhe ditën e fundit si garuese.

“Momente te vështira të gjithë kanë pafund. Siç kam kaluar me mamin, por sakrifica e madhe që e kam përjetuar ka qenë 2012 kur unë u largova nga sporti. Nuk u largova me dëshirën time. Kisha një vit të tërë sakrificë që isha në një fazë përgatitore.

Një stërvitje pafund, 8 orë në ditë stërvitje. Nuk takoja njeri nga familja sepse isha e grumbulluar për të marrë pjesë në lojërat Olimpike Londër 2012. Pasi kapa normën që ishim 15 sportistet më të mira në botë, isha edhe unë në 200 metra. Pata një dëmtim. Vuajta shumë 2 muaj në Shqipëri. nuk lashë doktor pa shkuar. Pas dy muajsh terapi të ndryshme unë u nisa për në Londër.

Një ditë para garës time zëre se u paralizova. Më morën me barelë dhe aty pata një operacion në shtyllën kurrizore ku e vuajta mbrapa, por vështirësia ishte që lashë sportin. Dhe e lashë në momentin kur isha në kulm”, u shpreh Klodiana.

E gjithë kjo, sipas Klodianës, është rezultat i mungesës së kushteve për stërvitje, pasi ajo tregon se operacioni në shtyllën kurrizore dhe dy ndërhyrjet në gju erdhën për shkak të dëmtimit gjatë stërvitjes nga parku i Liqenit.