Vllaznia synon kualifikimin në Champions League për femra, flasin trajneri dhe kapitenia

Sot në orën 14:00 do të luhet ndeshja e turit të dytë të Ligës së Kampioneve të Europës në futboll për femra dhe skuadra e Vllaznisë do të presë në “Loro Boriçi” ekipin kampion të Bjellorusisë, FC Minsk.

Në prag të kësaj ndeshjeje, trajneri Nikolin Leka dhe kapitenia Esmeralda Franja kanë dalë në një konferencë për shtyp teksa janë shprehur të bindur se Vllaznia do të synojë kualifikimin.

Trajneri Leka

Si është gjendja e ekipit para kësaj ndeshjeje?

Gjendja është shumë e mirë. Ekipi është duke punuar ashtu si duhet, ana morale është shumë e lartë dhe jemi të fokusuar maksimalisht për ndeshjen.

Si është gjendja me të dëmtuarat?

Është e vërtetë se në ndeshjen ndaj Tiranës na janë dëmtuar dy lojtare, por njëra prej tyre është rikuperuar plotësisht, ndërsa tjetra është në fazën e terapisë dhe do të vendosim në vijim nëse do të jetë në dispozicion apo jo.

A ndjeheni të favorizuar që do të luani në Shkodër?

Kuptohet që kur luan në shtëpinë tënde je i favorizuar, gjithsesi jemi në kushtet kur mungojnë tifozët. Por unë shpresoj që ata pak që do të jenë të pranishëm dhe që lejohen sipas rregullores së pandemisë, t’i kemi përkrah dhe ne ta shfrytëzojmë këtë gjë.

A besoni te kualifikimi?

Absolutisht që besojmë tek kualifikimi sepse ky është objektivi ynë, të kalojmë në 32-she. Megjithatë duhet të dimë se përballë do të kemi një ekip shumë të përgatitur dhe me përvojë, i cili çdo vit ka qenë në 32-shen e Europës. Ne po ia bëjmë hyzmetin shumë punës dhe do të synojmë patjetër kalimin në turin tjetër.

A e keni menduar që ndeshja mund të shkojë edhe në shtesë apo te penalltitë?

Ne përgatitemi për të gjitha rrethanat që mund të krijojë loja, por shpresojmë që nesër ta mbyllim më herët, megjithatë duhet t’i marrim masat për çdo gjë.

 

Kapitenia Franja:

Si e shihni ndeshjen me FC Minsk?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi është raundi i dytë dhe për më tepër, skuadra e Minskut ka kaluar thuajse gjithmonë në 32-shen më të mirë të Europës. Megjithatë ne kemi punuar dhe jemi gati të japim maksimumin në fushë.

Ju vjen keq që nuk do të keni mbështetjen e publikut nga shkallët e stadiumit?

Keqardhje që nuk do të kemi mbështetjen e duhur, sepse do të kishin qenë një ndihmë e madhe për skuadrën tonë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë, pasi kështu ka ardhur koha. Shpresojmë të kualifikohemi dhe t’i bëjmë krenarë në shtëpitë e tyre, ku besoj se do na ndjekin sërish.