Tritoli në Shkodër/ Plagosja nga djali i pronares u mbyll me paqe

Në Shkodër nuk ka ende asnjë të arrestuar për shpërthimin e eksplozivit mbrëmjen e djeshme në lokalin në pronësi të Hana Foletës (Tollozi), madje edhe 6 të shoqëruarit janë liruar. Pasi i mori në pyetje, grupi hetimor i la të lirë të shoqëruarit.

Por ku po hetohet? Një pistë konkrete ende nuk ka nga grupi hetimor. Mbrëmë u mësua se djali i pronares së lokalit, Aleksandër Foleta në gusht të këtij viti është arrestuar për një plagosje të dyfishtë me thikë, por më pas është liruar.

Burime nga grupi hetimor e përjashtojnë këtë pistë, pasi djemtë e plagosur me thikë nga djali i pronares janë pajtuar duke sheshuar problemet. Shpërthimi mbrëmjen e djeshme ka qenë i fortë duke shkaktuar dëme të shumta materiale, por fatmirësisht jo të lënduar në njerëz.

Lokali është ngjitur me shtëpinë e familjes Foleta dhe pranë drejtorisë së policisë, por kjo nuk i ka trembur autorët. Lokali nuk ka kamera sigurie duke e vështirësuar punën e hetuesve.