OBSH jep lajmin e mirë: Ulen rastet javore në Evropë ...

"Kontinenti i Vjetër" mbetet epiqendra e pandemisë, sipas shifrave të OBSH -  Më shumë se 29,000 vdekje u regjistruan në Evropë gjatë periudhës nën shqyrtim.

Numri i rasteve të reja Covid-19 në Evropë ra javën e kaluar për herë të parë në tre muaj, por vdekjet në rajon vazhduan të rriteshin, sipas shifrave të OBSH -së të lëshuara sot.

Në tërësi, gati katër milion raste u raportuan në të gjithë botën javën e kaluar, duke kushtuar jetën e gati 60,000 njerëzve, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë .

Evropa, e cila pa numrin e përgjithshëm të infeksioneve të kalojë 15 milion të martën, mbetet rajoni i goditur më rëndë në botë.

Javën e kaluar, këto numra përbënin 46% të rasteve të reja në të gjithë botën dhe 49% të vdekjeve , sipas azhurnimit epidemiologjik të përjavshëm të organizatës.

Me 1.84 milion raste të reja, presioni ka mbetur i lartë në Evropë, por OBSH thotë se "javën e kaluar, për herë të parë në më shumë se tre muaj, rajoni pa një rënie prej 10% të numrit të rasteve javore".

Sidoqoftë, më shumë se 29,000 vdekje u regjistruan në kontinentin Evropian gjatë kësaj periudhe, një rritje prej 18% krahasuar me javën e kaluar.

Në kontinentin Amerikan, rajoni i dytë më i prekur, numri i rasteve u rrit me 40%, me mbi 1.45 milion raste të reja. 

Më shumë se 19,100 njerëz vdiqën gjatë javës së kaluar.

I vetmi rajon që pa një rënie në numrin e rasteve të reja dhe vdekjeve javën e kaluar ishte Azia Juglindore.

Më shumë se 1.3 milion njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 55 milion janë infektuar që kur virusi u shfaq në Kinë në fund të vitit të kaluar, sipas AFP.