Fabrikimet e Ramës/ Mos i humbisni këto batuta të Agim Xhafkës

Ndërkohë që kriza është ulur këmbëkryq në vend dhe pandemia ka dalë jashtë kontrollit, Edi Rama dhe lukunia e medieve pranë tij kanë sajuar disa histori me patriotizëm folklorik për të shmangur vëmendjen. Megjithatë, kjo është një histori e vjetër dhe njerëzit e kanë kuptuar se ku është loja. Mjeshtri i humorit, Agim Xhafka ka ironizuar këtë situatë me disa batuta që nuk duhen humbur:

***

Rama nuk sheh që la popullin pa brekë, por merret me kasetën e Lulit. Më kujton Sofo Lazrin, këshilltarin e Ramizit. Ne s’kishim bukë të hanim në ato vite, ai na fliste për luftën në Vietnam. Një ditë, sa mbaroi oratorinë e tij, e pyet Kozma Dushi: -O babuç, leri rehat vietnamezët aty ku janë e shiko nga ne. Nuk kemi shtëpi, re babuç. A e di ti që po flemë nëpër pemë?

***

Babai kur u çlirua Shqipëria ishte 12 vjeç. Në vitin 1973, kur unë isha maturant, erdhi i mërzitur në shtëpi nga që në një mbledhje i kishin thënë se ai nuk kontribuoi sa duhej për çlirimin e atdheut.

-A u the që ishe fëmijë atëherë?-e pyeta.

-Po. Disa herë.

-Dhe?

-Dhe prapë më thoshin pa pushim, sqaro rolin tënd në luftë!

Sot njësoj si atëherë. Basha thotë që nuk ka qenë fare te Shtëpia e Verdhë, Rama i bërtet, Lul sqaro rolin tënd.

***

Sa tha Basha në TV, nuk jam pronar i asnjë vile, ia nisën TV-të e gazetat me refrenin, ti ke vilë, ke, ke!

Më kujtojnë dezhurnin e elektrikut në Vlorë që kur e marr në telefon dhe e pyes, o vëlla, pse s’kemi drita në Orikum, ai ma kthen, ke drita, ke, po thjesht nuk e kupton.

***

-Zoti analist, si e vlerësoni qeverisjen Rama?

-Duhet parë më thellë. Ja, e nisim nga Berisha...