Reforma zgjedhore bllokon negociatat/ Ministri gjerman: Janë 2 kushte

Shqipëria ka ende dy kushte për të plotësuar, me qëllim çeljen e negociatave. Kështu ka deklaruar për gazetaren e ABC, Erisa Zykaj ministri gjerman Michael Roth.

Sipas Roth duhet që të plotësohen të paktën këto dy kushte me qëllim që të organizohet Konferenca e Parë Ndërqeveritare.

“Për Shqipërinë mbeten dy kushte për t’u plotësuar. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale dhe zbatimi i Kodit Zgjedhor”, ka thënë Roth.

Ndërkohë, siç abcnews.al raportoi më herët ministrat e çështjeve europiane të Bashkimit Europian, të cilët u mblodhën sot nuk kanë mundur të zhbllokojnë pengesën lidhur me aprovimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministri bullgar i Çështjeve Europiane nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e përfshirjes në kuadrin negociues së Maqedonisë së Veriut të një udhërrëfyes mbi zgjidhjen e çështjeve që lidhen me historinë dhe gjuhën në midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kujtojmë se në prag të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues vendeve anëtare të BE në 16 Shtator, i përbërë nga gjashtë faqe me shpjegime të gjata historike të “ideologjisë shtetërore anti-Bullgare” në Maqedoninë e Veriut.