Mediu: Akuzat ndaj Bashës të turpshme, i shërbejnë vetëm interesit të Serbisë

Nga Kukësi, ku zhvilloi një takim me strukturat, kreu i republikanëve Fatmir Mediu i konsideroi të turpshme akuzat e hedhura ndaj Bashës nga mazhoranca. Sipas tij këto pretendime i shërbejnë interesave të Serbisë.

 “Të dalësh dhe të akuzosh Bashën për një dosje është e turpshme, ti shërbesh interesave të Miloshevicit dhe Vuçiç, sot, kur po diskutohet historia e Kosovës. Në këtë situatë ku po tentohet të zhbëhet historia e Kosovës dhe shqiptarëve, politika e Ramës është përçarëse. Shqipëria është vend anëtar i NATOs dhe asnjëherë nuk shtroi një çështje të interesit kombëtar në pikëpamje të sigurisë, kishte dhe ka Presidencën e OSBE dhe asnjëherë nuk shtroi çështjen e të zhdukurve në Kosovë nga regjimi i Milloshevicit dhe Vuçiçit”, shprehet Mediu.

Mediu u ndal edhe në situatën që pandemia ka krijuar në vendin tonë. Ai tha se Covid 19 po krijon drama të rënda në shumë familje, ndërsa akuzoi Ramën se ka futur në kolaps ekonominë.

“Ekonomia është në kolaps, taksat e larta dhe korrupsioni po shkatërrojnë mundësinë për të bërë biznes. Papunësia është prezent në familjet shqiptare. Pandemia e COVID po krijon drama të rënda në shumë familje, por mosmbështetja nga qeveria dhe shkatërrimi i bizneseve po kthehet në dramë kombëtare. Sistemi shëndetësor dhe ai arsimor janë në gjendje të mjerueshme, për shkak të regjimit të korruptuar të Ramës. Ai kërkon të vrasë shpresën dhe besimin në vlerat e lirisë dhe demokracisë. Politikat e tij kërkojnë shpopullimin e Shqipërisë nga njerëzit e aftë dhe profesionistë, duke rrënjosur në qeveri mediokritetin dhe korrupsionin. Politika mjerane e qeverisë duke përsëritur mashtrimet, duke sharë dhe fyer këdo, kërkon të krijojë një shtrembërim moral në shoqëri, ku e keqja, gënjeshtra dhe vjedhja të bëhen të pranueshme. Kukësi dhe Shqipëria është zhytur në papunësi dhe varfëri. Situata e rëndë shëndetësore e Covid-19, pamundësia për t’a përballuar financiarisht, po shoqërohet me shkatërrimin e ekonomive familjare, dhe e vetmja mundësi ekonomike është ndihma nga emigracioni, pjesa më aktive, rinia dhe profesionistët janë larguar në emigracion.”, tha Mediu gjatë takimit me strukturat e Partisë Republikane në Kukës.