Historike/ Piloti spanjoll shpallet për herë të parë kampion bote në Moto GP
Joan Mir fiton titullin e tij të parë në karrierë në Moto GP. Vendi i 7-të në Çmimin e Madh të Komunitetit Valencian i mjaftoi 23-vjeçarit spanjoll për të festuar fitimin e titullit kampion në klasin mbretëror.
Një titull në kohë pandemie, me pilotin e Suzukit që u favorizua gjatë këtij sezoni edhe nga dëmtimi i Marc Marquez që në garën e parë dhe tërheqja e tij nga të gjitha ndalesat e tjera të këtij edicioni.
Në garën e Valencias, Mir për të festuar matematikisht titullin u ndihmua edhe nga vendi i 4-t i shokut të tij të skuadrës Alex Rins dhe nga rrëzimi që në fillim i francezit Fabio Quartararo.
Një garë para fundit të sezonit, spanjolli i Suzukit u shpall matematikisht kampion i Moto GP.
Përsa i përket garës së Valencias, në cirkuitin e Tormos triumfoi një super Franco Morbidelli i ndjekur nga Miller dhe Pol Espargaro.
Vetëm i 12-ti Valentino Rossi ndërkohë që disi më mirë Andrea Dovizioso që u rendit i 8-ti.