‘0 dollarë për kërkim mjekësor’/ Biden harxhoi miliona për pagat e veta nga ‘Iniciativa për Kancerin’

Shoqata bamirëse për kancerin e krijuar nga Joe Biden nuk ka arritur të alokojë një dollar të vetëm për kërkimin mjekësor, pasi pjesa më e madhe e parave kanë shkuar për pagat bujare të punonjësve.

Regjistrimet federale të taksave zbulojnë se “Iniciativa për Kancerin” e Bidenit, e themeluar në vitin 2017 nga ish-zëvendëspresidenti dhe gruaja e tij Jill, nuk shpërndau grante gjatë dy viteve të para të operacioneve, shkruan New York Post.

Shoqata e krijuar pasi djali i madh i çiftit, Beau Biden u nda nga jeta nga kanceri i trurit në vitin 2015, thotë se misioni i saj është “të zhvillojë dhe drejtojë zbatimin e zgjidhjeve për të përshpejtuar progresin në parandalimin, zbulimin, diagnostikimin, kërkimin dhe kujdesin e kancerit”.

Sipas gazetës amerikane, shoqata e Bidenit arriti të mbledhë 4,809,619 dollarë kontribute në vitet fiskale 2017 dhe 2018, ndërsa ka shpenzuar plot 3,070,301 dollarë për paga në këto dy vjet.

Gregory Simon, një ish-ekzekutiv i Pfizer dhe lobist i kujdesit shëndetësor i cili u caktua të shërbejë si president i organizatës, mori në shtëpi 429,850 dollarë në 2018-ën, gati dyfishin e pagës së tij nga një vit më parë. Ashtu si Biden, edhe Simon ishte një anëtar i administratës së Obamës, duke kryesuar Task Forcën e Shtëpisë së Bardhë.

Shpenzimet e udhëtimit gjithashtu u rritën midis viteve 2017 dhe 2018, pavarësisht se organizata nuk ka dhënë asnjëherë një kontribut financiar drejt kërkimit për kancerin. Grupi kishte pretenduar më parë fokusi i tij kryesor ishte ta bënte trajtimin e kancerit më të përballueshëm dhe më të arritshëm, dhe jo në mbledhjen e fondeve për të gjetur një kurë.

“Iniciativa për Kancerin” e Bidenit i ndaloi aktivitetet e saj në korrik të 2019-ës, pasi Joe Biden u tërhoq për t’u përqëndruar në fushatën e tij presidenciale. Edhe pse teknikisht akoma aktive, shoqata ka kaluar në letargji të thellë.

Vetë Simon ka pranuar në një intervistë të vitit 2019 se pa pjesëmarrjen e Bidenit, është bërë “gjithnjë e më e vështirë për të marrë shtytjen që na duhej për të përfunduar misionin tonë”.

New York Post shkruan se as Simon as Biden nuk mundën të arriheshin për komente, lidhur me këtë çështje./ Hashtag/