Propaganda e Ramës/ 80 chartera me të infektuar janë nisur drejt Turqisë

Edi Rama nuk heziton në asnjë dalje publike që të përgëzojë shëndetësinë shqiptare për përballimin me sukses deri tani, sipas tij, të situatës pandemike.

Madje këtë kryeministri e ka kthyer në lajtmotiv të ditës si në postimet që bën në Tëitter, në replikat me kryetarin e PD, Lulzim Basha, presidentin Ilir Meta apo dhe përfaqësues të tjerë të opozitës si dhe gjatë çdo dalje përpara gazetarëve.

Mirëpo, Gazeta MAPO ka siguruar nga burime se vetëm dy muajt e fundit, nga spitalet COVID të Tiranë janë nisur drejt Turqisë plot 80 chartera me të sëmurë nga koronavirusi. Pacientët janë kryesisht figura të ndryshme të njohura, kryesisht të politikës dhe biznesit, që nisen për kurim të specializuar në Turqi.

Kujtojmë se flitet se për dy muajt e fundit janë nisur të paktën 80 chartera me figura të ndryshme në vend drejt Turqisë.

Ditën e djeshme, imzot George Frendo u nis për trajtim të specializuar drejt Italisë ndërsa një ditë më parë, Janullatos u nis drejt Greqisë për t’u trajtuar nga koronavirusi teksa ndodhet në trajtim intensiv në një spital të Athinës.

Gjithashtu, ka një numër jo të vogël zyrtarësh të lartë të shtetit, mes tyre edhe deputetë që janë dërguar në Turqi pas për të kaluar COVID-19. Pa llogaritur biznesmenët numri i të cilëve është edhe më i madh.

Mbetet ende e paqartë përse figurat e rëndësishme zgjedhin të mos trajtohen në Shqipëri, ku kryeministri Rama thekson se kemi kushte njësoj si bota dhe nuk mungon asgjë për pacientët e infektuar.

Ndërsa qytetarëve të thjeshtë nuk iu mbetet zgjidhje tjetër veçse të përplasen në dyert e spitaleve COVID të Tiranës, kushtet e të cilave lënë për të dëshiruar, ndërsa deri tani 4 pacientë i kanë dhënë fund jetës tragjikisht duke u hedhur nga dritaret e spitali.