VIDEO/ Po fliste Manastirliu, profesori i njohur braktis në mënyrë demonstrative takimin

Duket se pakënaqësia ndaj qeverisë Rama dhe ministrave të tij është në maja.

Këtë e tregon edhe sjellja e një prej profesorëve të mjekësisë infektive gjatë ditës së sotme, kur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bashkë me drejtorin e OBSH-së për Europën Hans Kluge po zhvillonte një takim me mjekët e spitalit Infektiv.

Profesori dhe mjeku i njohur Dhimitër Kraja, është revoltuar gjatë momenteve që ishte duke folur Manastirliu dhe ka vendosur të largohet nga ai takim.

Kraja nuk ka pranuar as kur shefja e infektivit Najada Çomo i ka kërkuar të mos lëvizë, por është nisur për të ikur. Çomo i ka kërkuar dikujt nga stafi që të mbajë profesor Krajën në takim, i cili është mbajtur me forcë aty.

Pikërisht këto momente kanë shërbyer sërish si një revoltë e profesorit, i cili ka folur. Por meqenëse mediat nuk lejoheshin dhe të pranishëm ishin vetëm kamerat e Manastirliut, videoja e këtij takimi është hedhur në Facebook, pa zë.

Revolta e mjekëve ndaj propagandës qeverisëse dhe braktisja e tyre nga drejtuesit duket se është vetëm në fillimet e saj.

Profesori Dhimitër Kraja u rikthye tek spitali Infektiv, që në nisje të pandemisë në muajin Mars, pasi kishte dalë në pension prej disa vitesh.

Vetë Kraja gjatë kthimit në detyrë arriti të mposhte edhe Covid 19, duke qëndruar deri në fund në shërbimin ndaj pacientëve.

Pas publikimit në media i rastit ka ardhur edhe reagimi i QSUT-se me ane te zv/drejtoreshes Ariana Strakosha.