Masakër në Etiopi, rrugët e qytetit mbushen më viktima

Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, i ka akuzuar forcat rebele në rajonin Tigray për masakër ndaj civilëve. Një organizatë ndërkombëtare ka konfirmuar se shumë persona, janë therur ose janë prerë për vdekje.

“Trupat federale etiopiane e kanë çliruar pjesën perëndimore të rajonit Tigray e cila është një fitore për civilët e pafajshëm në Mai-Kadra, të cilët u masakruan brutalisht”, tha ai.

Në një deklaratë tjetër, ai tha se janë gjetur trupat e disa ushtarëve, të cilët ishin vrarë, duart dhe këmbët I kishin të lidhura. Zyrtarët në Tigray e kanë mohuar këtë akuzë, shkruan BBC.

Luftimet mes forcave qeveritare dhe këtij grupi shpërthyen javën e kaluar. Mediet e kanë shumë të vështirë marrjen e informacioneve nga terreni për shkak të mungesës së linjave telefonike dhe internetit.

Mes qeverisë dhe Fronit Popullor për Çlirim ka pasur tensione edhe më parë për rajonin verior të Etiopisë, përfshirë edhe përleshjet ushtarake, ku ka pasur sulme ajrore nga forcat qeveritare.

Organizata “Amnesty International” tha se vrasjet kanë ndodhur në natën e nëntë nëntorit. Ky grup, që merret me të drejtat e njeriut në nivel ndërkombëtar, tha se ka konfirmuar që shumë persona, me gjasë qindra, janë vrarë duke u therur ose masakruar në Mai-Kadra, qytezë në rajonin Tigray.

Sipas raportimeve nga organizata qyteti ishte mbushur me trupat e ekzekutuar të civilëve të pafajshëm që nuk ishin pjesë e luftimeve.