'Shtëpia e Verdhë' dhe politika e ndyrë

“Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen!”

Kjo thënie e të madhit Konica vlen edhe sot ne debatin shterp dhe të turpshëm për “Shtëpinë e Verdhë” në Shqipëri! Aq në ditë të zeza jemi prej vitesh, saqë edhe një komision hetimor parlamentar na duhet në këtë kohë të keqe për shqiptarët!

Po pse more të mjerë, i keni punët në terezi me problemet tjera në Shqipëri dhe doni, për interesa të ulëta e të ndyra politike të momentit, t’i jepni “material” Serbisë dhe të rëndoni imazhin e luftës dhe luftëtarëve të UÇK-së?!

Si nuk ju vjen turp që doni të rihapni një çështje të hetuar 4 herë në Shqipëri nga hetues vendas e ndërkombëtarë e të bëni me njollë vendin tuaj duke luajtur vallen e “çetnikëve” serbë!?

Kërkoni në arkivat e gazetave online nëse ju nuk dini të shkruani shkresa e t’i kërkoni informacion, institucioneve, se kjo çështje është hetuar në vitin 2000, 2002 e 2004 nga hetues të Tribunalit të Gjykatës së Hagës e persona të ndryshëm të institucioneve shtetërore të BE-së!

E ju doni të ngrini një komision me disa deputetë injorantë!

Mësojeni o trutharë se kjo çështje është hetuar e stërhetuar e për të fundit herë në vitin 2009 me kërkesë të Prokurorisë së EULEX-it dhe hetues të Krimeve të Rënda, ku përsëri përfundimi ishte i njëjtë o të mjerë, si në vitet e tjera!

Asgjë e vërtetë nga raporti Dick Marty për “Shtëpinë e Verdhë” në zonën e Burrelit

Një nga pikat e arsyetimet e vitit 2009 ishte mes të tjerave (e gjeni në arkivat e gazetave të kohës) që është e pamundur të ketë ndodhur, pasi mungonte çdo kusht elementar i jetesës e lëre të bëhet transplant organesh!

Me këtë hetim u mbyll kapitulli i sajesës më të madhe ndaj shqiptarëve o të mjerë, që në çdo kohë fushate ngjizni zërin siç ju është ngjizur truri, duke tentuar të njollosni vendin tuaj për lojëra politike!

Po pse nuk keni argumente të tjera për të sulmuar kreun e opozitës vetëm me këto sajesa për të rënduar imazhin e vendit tuaj dhe luftën e UÇK-së?!

Po pse nuk ngrini një komision parlamentar që të faktoni krimet e Serbisë brenda territorit shqiptar dhe vrasjet e vendosjet e minave në zonën kufitare?!

Pse nuk mblidhni prova e të padisni Dick Marty për sajesën e “Shtëpisë së Verdhë” apo burgjeve në Shqipëri?!

Pse nuk ngrini komisionin tuaj parlamentar për mënyrën e administrimit të pandemisë, tenderët për këtë kohë, vjedhjet me PPP në shëndetësi, mbetje etj. etj, futjen e kriminelëve në parlament e në bashki, gjelbërimin e vendit me kanabis, angazhimin e kriminelëve përsëri në fushatë për të siguruar votat apo edhe lidhjet e drejtuesve të mazhorancës me trafikantë tashmë të rehabilituar në “biznesmenë” të partisë?!