Hetimi për raportin e Dick Marty/ Berisha: PS votoi me unanimitet rezolutën

Ish-kryeministri Sali Berisha e quajti qesharake nismën e socialistëve për të hetuar shqiptarët që kanë punuar për UNMIK.

“Kuptoj që do ngrihet një komision hetimor i kryesor nga Taulant BegoYaris, i përbërë nga Edmond Bego, i përbërë nga Qosja i drogës, i përbërë nga klani Hoxha i drogës së Librazhit. Do ngrihet një komision hetimor nga një grup trafikantësh,” tha Berisha.

Sipas tij, socialistët e kanë votuar rezolutën që doli nga Këshilli i Europës, ku kërkohej të hetohej raporti i Dick Marty.

“Nuk ia vlen të merresh me një qesharak si puna e këtij. Ajo që mund të them unë është se atë që ka votuar delegacioni i Shqipërisë në Këshillin e Europës, e ka votuar për rrjedhojë parlamenti i Shqipërisë. Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar marrëveshjen me EULEX për hetimet mbi raportin e Dick Marty. Rezoluta është votuar edhe nga socialistët me unanimitet. Shqipëria nuk kishte asnjë mundësi të bllokonte këtë rezolutë në KiE,” tha Berisha.

Sipas tij, edhe Jakup Krasniqi kërkoi hetimin.

“E gjithë udhëheqja politike e Kosovës ishte për hetimin e raportit të Dick Marty. Këta janë në një tragjikomedi në gjendjen e tyre dhe menduan se me këtë rast, mundet që të zbardhin faqen e zezë të argatit të Beogradit, ditën që udhëheqja politike e Kosovës ulej me hekura në sallën e gjyqit në Hagë, firmoste marrëveshje me zëdhënësin e Millosheviçit,” tha Berisha.