Tifozët e Tiranës kundër klubit: Eliminimi nga Kupa u bë për të shkarkuar trajnerin

Humbja dhe eliminimi në shtesë në Kupën e Shqipërisë përballë Korabit ka kthyer edhe një herë situatat e vjetra të zakonshme te Tirana.

Tifozët kanë protestuar kundër klubit në rrjetet sociale, duke cilësuar drejtuesit fajtorë për eliminimin.

Në qindra komente në faqen e klubit në Facebook, thuajse të gjithë ata që kanë bërë postime janë të bindur se humbja e sotme ishte me urdhër nga lart, për të gjetur një shkas për të larguar trajnerin Emanuel Egbo.

“Nuk është burrëri të urdhërosh ekipin të eliminohet për të shkarkuar trajnerin. Nëse trajneri nuk të pëlqen ishit ndarë në paqe me një shtrëngim duarsh si burra xhentëlmenësh. Kemi 30 vjet në vendnumëro, ekip amatoresh, po pse duhet me ngrit kurthe klanore për të shkarkuar një trajner që ktheu ekipin tek titulli mbas një dekade”, shkruante një prej tifozëve.

“Nqs nesër trajner gdhin z. Nevil Dede, atëherë turpi jeni JU”, shkruante një tjetër, duke konfirmuar kësisoj edhe një herë se te Tirana vetëm rezultatet janë ato që sjellin paqe me mbështetësit e skuadrës, të cilët vazhdojnë të jenë shumë kritikë nga çdo gjëje që ndodh në ambientet e klubit.