Dënim me 4 muaj burg? Reagon Cobbinah: Lajmi i rremë! Gjithçka është politike...

Ditën e djeshme mediat raportuan se futbollisti i Tiranës, Winnful Cobbinah, ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 4 muaj burg, ndërsa për shkak të mosrrezikshmërisë që paraqiste futbollisti bardheblu, dënimi ishte reduktuar në 100 orë punë të detyruar në shërbim të komunitetit.

Mirëpo, diçka të tillë e ka mohuar sulmuesi afrikan, i cili në një reagim për mediat ganeze e ka cilësuar lajmin të rremë. Sipas tij ai është i lirë dhe gjithçka është politike. Cobbinah u bën thirrje mediave në Ganë që mos postojnë lajme që sipas tij janë të pavërteta.

“Nuk do të bëj asgjë, as burg, as punë. Jam i lirë të bëj çfarë të dua, të dal, të shkoj ku të dua. Nuk ka të bëjë asgjë me mua, nuk ka lidhje me mua. Kjo bëhet pasi kam marrë pasaportën. E di që duhen pesë vite, por mua ma dhanë për dy se jam futbollist. Kjo situatë është sepse këtu do të ketë zgjedhje. Gjithçka është politike”, thuhet ndër të tjera në videon e publikuar nga mediat ganeze.