FOTO/ Ja si funksionon vaksina anti-coronavirus e Pfizer-BioNTech

Dy doza për t’u administruar në distancë prej 21 ditësh, nga mosha 16 vjeç e lart, sasitë e para gati pas disa javësh dhe efikasitet që arrin 90%.

Pfizer, që prodhon vaksinën anti-Covid me gjermanen BioNTech, parashikon prodhimin e 50 milion dozave brenda 2020 e 1.3 miliardë brenda 2021, pas miratimit nga agjencitë amerikane e më pas evropiane.

Dozat janë dy, injektohen në distancë prej tri javësh dhe eksperimentimi ka evidentuar përgjigje imunitare optimale që nga hera e parë.

Për sa i përket konservimit, ampulat ruhen në temperaturë -75 gradë, por mund të mbahen edhe në frigorifer, midis 2 e 8 gradë, për pesë ditë para përdorimit, mjafton që mos të kalojnë dy orë në temperaturë ambienti.

Vaksina e zhvilluar nga kompanitë Pfizer e BioNTech bazohet mbi një nga teknologjitë më novatore e të përparuar, adoptuar edhe nga dy kompani të tjera të mëdha në këtë fushë: gjermania Curevac dhe amerikania Moderna, që në kërkimet për vaksinën kundër pandemisë bashkëpunon me entin amerikan të kërkimeve mbi sëmundjet infektive, NIAID, drejtuar nga Anthony Fauci, dhe me Coalion for Epidemic Preparedness Innovation. Të treja vaksinat janë në fazën e tretë të eksperimentimit klinik dhe të treja janë vaksina RNA.

Vaksina të këtij tipi përdorin sekuencat e materialit gjenetik të koronavirusit të ri, ose Ribonucleic Acid (RNA), mesazherin molekular që përmban instruksionet për të ndërtuar proteinat e virusit. Përdorimi i  mesazherit RNA (mRNA) ishte një zgjidhje e diktuar nga nevoja për të prodhuar vaksina në kohë të shkurtër, duke fituar një përgjigje imunitare optimale. Objektivi është administrimi direkt i mRNA që kontrollon prodhimin e një proteine kundër së cilës synohet nxitja e reagimit të sistemit imunitar.

Në rasti e virusit përgjegjës për pandeminë, proteina është Spike, kthetra molekulare e përdorur për të mbërthyer qelizat e shëndetshme e për t’i pushtuar ato. Proteina Spike ishte ndër të parat që u individualizua, është e njohur mirë dhe është parë që sistemi imunitar i njeriut është në gjendje ta njohë. Sapo ndodh kjo, mbrojta e organizmit stimulon prodhimin e qelizave B, të cilat prodhojnë antitrupa, dhe të qelizave T, të specializuara në shkatërrimin e qelizave të infektuara.

Meqenëse teknologjia është e njëjtë me bazën e vaksinës anti-Covid të Modernas, për Faucin ekziston shpresa qp së shpejti të kemi dy vaksina. Të dy eksperimentimet, ashtu si ai i Curevac, janë në fazën e fundit të eksperimentimit. Pas testimeve paraklinike, të kryera në laborator, çdo vaksinë dhe çdo ilaç eksperimentohet te njerëzit në tri faza.

Testimi dhe miratimi i pritshëm nga Food and Drug Administration (FDA), agjencia amerikane e barnave, duhet të vijë gjatë këtij muaji, pasuar nga ajo evropiane. Vaksina është testuar në vullnetarë të moshave midis 16 e 85 vjeç, dhe së fundmi është njoftuar edhe për eksperimentim në persona pozitivë me HIV dhe të prekur nga hepatiti B e C. Dozat do të jenë për konsum vetëm kur eksperimentimi klinik i vaksinës do të mbyllet me miratimin e agjencive, të cilat, duke pasur parasysh situatën emergjente, punojnë me afate të shpejtë.