Meta dekreton marrëveshjen e vaksinës anti-Covid, ka një mesazh për qeverinë

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka shpallur me Dekret, ligjin nr. 134/2020 ‘Për ratifikimin e marrëveshjes së angazhimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Aleancës GAVI, për pjesëmarrjen në strukturën globale të qasjes në vaksinat COVID-19 (Covax Facility)’.

Kjo marrëveshje edhe pse është një hap me rëndësi në masat që ndërmerr shteti shqiptar në luftën kundër pandemisë COVID-19, mundëson mbulimin e gjetjes së vaksinës vetëm për 20% të popullsisë, apo edhe më shumë, në varësi të financimit që vihet në dispozicion nga shteti shqiptar.

Është e domosdoshme, që çdo hap që hidhet nga Qeveria shqiptare, të jetë i  mirëstudiuar, në koordinim të plotë me strukturat dhe partnerët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë e të Bashkimit Europian, me qëllim për të siguruar vaksinimin në atë masë që vendi ka nevojë për përballimin e kësaj pandemie.

Për këtë arsye, Qeveria duhet të bëjë çdo përpjekje, për të garantuar mbulimin me buxhetim të plotë të çdo nevoje dhe kërkese të popullatës për vaksinim.