Vendimi: As të pasurit dhe as Mbretëresha nuk do e marrin vaksinën të parët

Mbretëresha dhe pjesa tjetër e Familjes Mbretërore në Britaninë e Madhe nuk do kenë privilegjin që të marrin të parët vaksinën kundër koronavirusit të ri.

Madje edhe kryeministri Boris Johnson do të duhet të presë radhën. Kështu shkruan e përditshmja Daily Mail. Sipas saj, askush nuk do të marrë trajtim special kur vendi të nisë aksionin për imunizimin masiv përmes vaksinimit.

Një burim qeveritar tha se vaksinat do të shpërndahen vetëm përmes Shërbimit Shëndetësor Kombëtar. Edhe të pasurit nuk do kenë shans që të kapërcejnë radhën.

Rregullorja parashikon që të parët në radhë për të marrë vaksinën do jenë ata që jetojnë në azile.

Më pas do jenë ata mbi 80 vjeç, ku përfshihet edhe Mbretëresha e Anglisë, e cila është 94 vjeç. Pas tyre do të vazhdojnë grupet e tjera të riskut.

Ky vendim vjen pasi kompania Pfizer shpalli se vaksina e tyre ofron 90 përqind mbrojtje ndaj koronavirusit.

Kjo vaksinë ka nisur që të prodhohet aktualisht dhe do të nisë të shpërndahet pa u mbyllur viti.