Covid19 i merr jetën ish-kampionit/ Mesazhi ngushëllues i Dukës: Sportist dhe mik i madh!

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka shprehu dhimbjen për vdekjen e papritur të ish-kampionit të mundjes dhe ish-zyrtarit të Erzenit Shkëlqim Troplini.

Kreu i futbollit shqiptar çmoi kontributin e 55-vjeçarit në sportin shqiptar. Duka gjithashtu i shprehu ngushëllimet familjes së Shkëlqim Troplinit i cili ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit.

Mesazhi i presidentit të FSHF-së Armand Duka:

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të ish sportistit, trajnerit dhe mikut të mirë Shkëlqim Troplini. Në këtë çast të trishtuar, gjej rastin që të ngushëlloj familjen, miqtë dhe vecanërisht dy djemtë Rejnaldon dhe Euxhenjon (të dy lojtarë të Erzenit), për humbjen e njeriut të dashur.

Shkëlqim Troplini ka qenë një ndër kampionët e njohur në sportin e mundjes, duke arritur në nivele të larta deri në kampion kombëtar. Më pas kontributi i tij është shtrirë edhe në fushën e trajningut në futboll, ku për një periudhë të gjatë ka qenë edhe zv/trajner i Erzenit duke u shquar për përkushtimin dhe seriozitetin e tij. Për të gjithë sa ka bërë në fushën e sportit do të mbetet i paharruar.

I ndrittë shpirti në parajsë!