Droga që u bë oriz/ Ja çfarë thotë letërporosia nga Greqia për 137 kg kokainë të nisura nga Ekuadori drejt Shqipërisë

Autoritetet greke të cilat sekuestruan 137 kg kokainë që vinte nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë nuk janë treguar indiferentë, përderisa i janë përgjigjur interesimit të Prokurorisë së Posaçme duke përcjellë informacion lidhur me çështjen.

Burime të besuara pranë Ministrisë së Drejtësisë bënë me dije se disa javë më parë mbërriti përgjigja e letërporosisë në lidhje me bllokimin e sasisë së madhe të kokainës në portin e Pireut në Athinë, sasi që u zëvendësua me oriz dhe u lejua të mbërrinte deri në Durrës.

Burimet janë tejet të rezervuara në lidhje me informacionet e mbërritura për faktin nëse në trafik janë përfshirë persona të tjerë nga Shqipëria, krahas Gentian Malindit që është në kërkim dhe Altin Myslihakës e Ardian Begës që ndodhen nën arrest, përderisa nxorën ngarkesën nga porti.

Burime pranë dikastertit të drejtësisë konfirmuan faktin se në letërporosi janë shpjeguar të gjitha procedurat e ndjekura që nga momenti që është pikasur droga në 4 kontenierët e ngarkuar me banane, zëvendësimi me oriz e deri tek vendimi për të lejuar lëvizjen e ngarkesës me dorëzim të kontrolluar.

Autoritetet greke kanë konfirmuar faktin se duke qenë se kontenierët ku ishte fshehur droga u kapën në kohë të ndryshme, janë çelur dy çështje hetimore, por emrat e personave të përfshirë në trafikun ndërkombëtar mbahen sekret.

Sasia e madhe e drogës e vendosur në 4 kontenierë frigoriferikë që trasportonin banane për llogari të një kompanie në pronësi të një biznesmeni nga Vlora, u zbulua në portin e Pireut.

Rezultoi se trafikantët u kishin vendosur GPS pakove me kokainë të nisura nga Ekuadori drejt Shqipërisë.

Mes autoriteteve të dy vendeve u ra dakord që droga të hiqej dhe të zëvendësohej me oriz.

Ngarkesa u lejua të mbërrinte në Durrës, ku sipas prokurorisë Gentian Malindi në bashkëpunim me dy të pandehurit e tjerë Myslihaka dhe Bega, ky i fundit punonjës në port, i morën pakot, por në momentin që kuptuan se brenda tyre nuk kishte kokainë i hodhën në mes të rrugës dhe u larguan.

Malindi ia doli t’i shpëtonte policisë, edhe pse ishte në ndjekje nga uniformat blu.

Ndërsa dy të tjerët vijojnë të mbahen në paraburgim derisa drejtësia të thotë fjalën e saj.