Pse duhet ta merrnim vesh nga mediat serbe atë që bëri Rama sot?

Dita e sotme ishte e ngarkuar me lajme dhe reagime. Drejtuesit më të lartë të UÇK-së u shfaqën në Gjykatën Speciale në Hagë, ku u njohën me aktakuzën.

Por ndërsa bota shqiptare i kishte sytë në Hagë, në rajon do të zhvillohej takimi i radhës për atë që njihet si Minishengeni ballkanik dhe që është kritikuar nga mediat e mëdha perëndimore si një projekt pro-serb.

Ironia ishte që në ditën kur gjykohej UÇK, kryeministri Edi Rama shfaqej virtualisht në krah të mikut me të cilin gatoi ndarjen e Kosovës, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

I kompleksuar thellësisht nga kjo gjë, kryeministri u mundua të mbante sa më larg vëmendjes së opinionit publik.

Mediat e shumta pranë tij bënë një raportim periferik, teksa kryeministria shqiptare nuk bëri asnjë njoftim për këtë ngjarje, kur në të shkuarën e bombardonin median me lajme.

“Nga kryeministria nuk ka ende një njoftim, por mediat serbe...”, thekson TV Klan.

“Mediat serbe kanë raportuar se në këtë konferencë...”, shkruan Panorama.

“Sipas medieve serbe, pjesë e konferencës do të jetë edhe...”, raporton Euronews Albania.

Pra shqiptarët i ranë nga Serbia për të mësuar se çfarë bënte Edi Rama, i cili nga ana tjetër, i vënë në pozitë për shkak se pandemia e koronavirusit ka dalë jashtë kontrollit, ka shpikur një kauzë inekzistente për një raport të Dick Marty, për të bërë rolin e nacionalistit.

Vetëm se është kaq i ekspozuar sa asgjë nuk e mbulon. Edhe kur mediat i bien nga Beogradi për të mësuar se çfarë gatuan kryeministri i tyre.