Vaksina e koronavirusit/ Kjo formulë i jep shpresë botës

BILD

Shpresat për një vaksinë të shpejtë kundër koronavirusit i kanë çuar bursat në qiell.

Arsyeja: kompania farmaceutike gjermane, Biontech ka raportuar një shkallë suksesi prej 90 përqind për vaksinën e saj të koronavirusit. Ata do aplikojnë për miratimin e vaksinës në SHBA javën që vjen.

Vaksina e Biontech quhet BNT162b2 dhe është prodhuar në kuadër të projektit ‘Shpejtësia e dritës’, që ka nisur në mes të janarit. Faza e tretë e testimeve, e cila është thelbësore për miratimin, ka nisur në vende të ndryshme në mes të korrikut.

Deri të hënën, më shumë se 43.500 persona kanë marrë të paktën një nga dy vaksinat, që jepen njëherë në çdo tre javë. Sipas prodhuesit, mbrojtja nga vaksina arrihet një javë pas injeksionit të dytë.

“Sot është një ditë e veçantë për shkencën dhe njerëzimin,” tha dr. Albert Bourla, kreu i kompanisë amerikane Pfizer, që po e prodhon vaksinën së bashku me Biontech.

“Analiza e parë e brendshme e fazës së tretë tregon se vaksina mund të parandalojë Covid-19. Kjo është një fitore për shkencën dhe bashkëpunimin global,” tha profesor Ugur Sahin, bashkëthemelues dhe president i Biontech.

Euforia për vaksinën ka ngritur lart tregjet botërore.

Fituesit më të mëdhenj janë Biontech dhe Pfizer vetë. Aksionet e Biontech u rritën me një të katërtën, duke kapur 95 euro. Pfizer u rrit në tregjet amerikane me 12 përqind.