Jakup Krasniqi del para gjykatës: Variantin e korrigjuar të akuzës e lexova në Hagë

 

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka dalë sot para bankës së të akuzuarit në Gjykatën e Hagës, në rolin e ish-zëdhënësit të UÇK-së. Teksa iu lexuan akuzat, Kasniqi është prezantuar para togës së zezë. Ai foli shumë qartë dhe shumë shkurt se ishte kosovar.

Jakup Krasniqit i është lexuar aktakuza me të cilën ai ngarkohet nga Dhomat e Specializuara. Gjykatësi i procedurës paraprake ia ka shpjeguar rregullat dhe po ashtu e pyeti Krasniqin nëse e ka pranuar aktakuzën në gjuhën shqipe, të cilën e flet.

Krasniqi është përgjigjur se një pjesë të aktakuzës e ka pranuar më 4 nëntor e pastaj në Hagë i është dorëzuar një aktakuzë, për të cilën thotë se ka qenë variant i korrigjuar dhe se e ka kuptuar mirë dhe lexuar mirë.

“Aktakuzën e kam marrë, një pjesë të saj me 4 nëntor. Por edhe pasi kam ardhur në Hagë e kam marrë të korrigjuar një pjesë të aktakuzës, e kam lexuar dhe kuptuar mirë”, ka thënë ai.

Aktakuza kundër Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020, ndërkohë që ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 4 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Kujtojmë se atakuza e ngarkon Krasniqin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale, kanë njoftuar nga Dhomat e Specializuara.