Mbahuni shqiptarë, do shëroheni në mandatin e tretë!

Rreth 10 ditë më parë, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliut i “shpëtoi” në parlament një deklaratë, sipas të cilës së shpejti të sëmurët me Covid-19 që mund të trajtohen në spitalet tona do të nisin të seleksionohen.

Faktikisht kjo gjë ka ndodhur me kohë, pasi kushdo që ka kaluar në familje hallin e virusit e di shumë mirë që të gjesh një vend te “Infektivi” apo te “Shefqet Ndroqi”, ose duhet të jesh në një gjendje shumë të rëndë, ose të kesh mik të fortë.

E vërteta është, se sistemi ynë shëndetësor pasi shifrat kanë kapur rreth 500 të infektuar në ditë është drejt kolapsit dhe mijëra të sëmurë, kurohen ose në spitalet private me çmime të kripura, ose nëpër shtëpitë e tyre.

Edi Rama, që ndërlidh gjyqin e Hagës ndaj zinxhirit komandues të UÇK-së me alarmin që jep opozita dhe një pjesë e medias për situatën katastrofike të pandemisë, ende nuk ka marrë asnjë përgjegjësi për atë që po ndodh. Dhe duket se ky është vetëm fillimi.

Qeveria e tij pati kohë që nga mbyllja e valës së parë, që të merrte të gjitha masat për të përballuar këtë valë të dytë edhe më të rëndë.

Për të shtuar kapacitetet e trajtimit të të infektuarve; për të trajnuar dhe shtuar personelin shëndetësor: për të siguruar ilaçet dhe pajisjet e nevojshme…

Por në vend që të bënte këto, ka harxhuar dhjetëra milion euro për të parapaguar koncesionarët dhe për tendera abuziv në çdo sektor.

Panorama që paraqitet sot është e dhimbshme dhe alarmante. Të sëmurë që shtrihen në oborrin e spitalit, pasi nuk i merr njeri përsipër. Të tjerë që trajtohen brenda ambulancave pasi kapacitet e spitaleve nuk mbajnë më, kurse Covid 3 dhe 4 vazhdojnë që të jenë vetëm në 3D.

Gjithashtu mijëra të tjerë kurohen në banesat e tyre, por kura ka një çmim aq të lartë sa që po detyron qytetarët që përveç borxheve të marrin edhe kredi.

Qeverisë së Edi Ramës, as që i shkon ndërmend që të kompensojë shpenzimet e kurimit në shtëpi siç ndodh në shumicën e vendeve të Europës.

Tashmë çështja nuk është vetë se qeveria Rama ka dështuar me trajtimin e pandemisë, por se në rrezik janë jetët e mijëra shqiptarëve sepse situatë po agravon frikshëm, dita ditës.

Pavarësisht të gjitha këtyre, kryeministri thotë; më votoni sërish mua edhe një mandate të tretë!

Pikërisht këtë temë trajton, edhe mjeshtri i karikaturës politike Bujar Kapexhiu në punën e tij të radhës, botuar në MAPO:

Mbahuni shqiptarë, do shëroheni në mandatin e tretë!