Bënte trafik emigrantësh në Shqipëri, arrestohet 41-vjeçari belg

Kishte ardhur nga Belgjika për të punuar me klandestinë në Shqipëri por përfundon në prangat e policisë. 41-vjeçari belg me iniciale M.A., banues në Gent, u kap me 5 emigrantë të paligjshëm në makinën e tij tip 'Honda', të cilëve u kishte premtuar kalim drejt vendeve të Bashkimit Europian kundrejt pagesës.

Në vijimësi të operacionit të koduar 'Perimetri', policia e Korçës ka vënë në pranga një shtetas belg, i cili u kap me 5 emigrantë të paligjshëm në makinë.

41-vjeçari belg me iniciale M.A., banues në Gent, u kap me 5 emigrantë të paligjshëm në makinën e tij tip 'Honda', të cilëve u kishte premtuar kalim drejt vendeve të Bashkimit Europian kundrejt pagesës.

Trafikanti u arrestua nga policia në aksin rrugor Maliq-Lozhan dhe tashmë do të përballet me akuzën e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve.

Njoftimi i plotë:

Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.

Në kuadër të tij goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, arrestohet në flagrancë 1 shtetas i huaj.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Maliq, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. A., 41 vjeç, banues në Gent, Belgjikë.

Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Maliq-Lozhan, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Honda”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve“.