Rama injoron krizën e pandemisë, merret me sulme të pabaza

Pak minuta pasi kreu i opozitës, Lulzim Basha doli me një mesazh për qytetarët shqiptarë lidhur me situatën alarmante në lidhje me pandeminë e koronavirusit, erdhi një reagim nga kreu i qeverisë.

Teksa kreu i opozitës deklaroi se Shqipërisë i duhet një lidership dhe se qeveria ka dështuar në menaxhimin e pandemisë, Rama merret me një çështje tjetër për të hequr vëmendjen nga situata e rrezikshme e koronavirusit.

Duke devijuar debatin te akuza të pabaza, Rama shkruan se Sali Berisha dhe Ilir Meta votuan pro raportit të Dick Marty, që mendohet se ka shërbyer si bazë për hetimet ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

“Sali pse e votove pro Raportin e Dick Marty në Këshillin e Europës, kur ne e votuam kundër apo doje të mbroje Kosovën nga Hashimi? Po ti Ilir pse e votove pro Raportin e Dick Marty apo s'të pyeti Haxhinasto? Lulëzim ke gjë për të thënë apo s'ta lejon sekreti hetimor? Krenar për PS”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë i referohet një rezolute të miratuar në vitin 2011.

Në atë kohë, Zëri i Amerikës shkruante: “Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nuk mori parasysh një numër të madh amendamentesh të paraqitura nga delegacioni i Shqipërisë, ndërsa është miratuar ndryshimi i titullit që u shndërrua në “Hetimet lidhur me dyshimet për trajtimin johuman dhe trafikim organesh””.

Kurse BBC në shqip shkruante: “Autoritetet në Prishtinë, por edhe ato në Tiranë, kundërshtuan fuqishëm pohimet e raportit, duke kërkuar hetime të paanshme”.