Hasani: E kam të hapur me Helsinkin, nuk do jem ndaj Gjeorgjisë

Ferhan Hasani në karrierën e tij ka ditur të qëndrojë gjithmonë në majë, edhe pse titujt nuk i ka të shumtë. Pas një kampionati të fituar me Shkëndijën, 30-vjeçari ia doli t’i shtonte vetes një tjetër trofe, atë të kampionit të Finlandës me ekipin e Helsinkit. I ftuar në “Sport Time”, Buba, siç e thërrasin të gjithë, shprehu kënaqësinë e tij për këtë trofe të marrë me skuadrën finlandeze, që ishte dhe mënyra më e mirë për të mbyllur aventurën e tij në këtë vend.

Pas Shkëndijës, fitova titullin në Finlandë. Për çdo futbollist është kënaqësi fitimi i trofeve. Jam i lumtur për këtë arritje, edhe pse e përfundova aventurën me Helsinkin.

Me Helsinkin, megjithatë, mund të jetë një mirupafshim, por jo një lamtumirë, pasi 30-vjeçari theksoi se nuk e ka vendosur ende se si do të vazhdojë karriera e tij.

Të them të drejtën, këtu e kam të hapur edhe për dy vite nëse do të dua të vazhdoj. Do të marr pushimet, për të qëndruar pranë familjes, pastaj, pasi të konsultohem, do të vendos. Me Helsinkin e kam të hapur, por jam në bisedime edhe me disa klube të tjera.

Ndërkohë që keqardhja e madhe është që do të mungojë ndaj Gjeorgjisë, në sfidën që mund të çojë Maqedoninë e Veriut në Europian, një arritje dhe për shqiptarët e kësaj skuadre, por dhe për vetë Bubën, që një sipërmarrje të tillë ka vite që e ëndërron.

Për fat të keq, nuk do të jem ndaj Gjeorgjisë për shkak të një lëndimi, që gjithsesi nuk do të shumë kohë për t’u shëruar. Këtë sfidë e kam pritur prej 10 apo 11 vitesh, por kuptohet jo gjithçka varet prej nesh. Do të jetë e vështirë, shanset janë 50 me 50, por mendoj se Maqedonia e e Veriut e meriton të shkojë në Europian.