Justifikime kur përballen me policin/ Pa rrip sigurimi, shoferi bën veprimin e papritur: Ma bëni hallall, jam i...

Kur ngrihet tabela e policit zakonisht reagimi i parë që vjen nga shoferët është nervozizmi . Ndonjëherë ky nervozizëm kulmon me sharje e ndonjëherë me shtrëngim nofullash. Por një burrë me inicialet G. Dervishi  që kishte harruar të vendoste rripin e sigurimit , i shpëtoi nervave të policëve pasi i sfidoi ata duke u larguar nga vendngjarja, pasi i mallkoi.

 Ishte ora 10:30. Në rrugën “Gaqo Tashko”, në Tiranë, trupa e shërbimit të policisë rrugore ndaloi një mjet ford gri me targat AA 876…., që drejtohej nga një shofer që nuk mbante rripin e sigurimit.

Policët Xh. SH dhe A. M i vendosën gjobë. Por historia nuk mbaron këtu. Ajo sapo ka filluar.

Në procesverbal policët kanë shkruar se “gjatë akt konstatimit shtetasi G. D është nevrikosur dhe ka mallkuar.  “Ju bëfshin ilaçe për fëmijët tuaj. Unë punoj për copën e bukës së gojës dhe kam shumë halle”.

Policia vëren se i ka kërkuar menjëherë identifikimin e pasagjerëve të tjerë në automjet. Por pasi shoferi e fiku njëherë makinën, befas e ndez dhe  largohet  nga vendngjarja.

Policia i tha Gazetës “Si” se shoferi u largua në drejtim të shkollës “Bajram Curri” dhe pesë minuta më vonë ai u rishfaq i penduar dhe i qetësuar.

Pasi i kishin rënë nervat, shoferi G. Dervishi i qetësoi edhe policët duke shtuar “jam i ngarkuar psikologjikisht se kam 100 halle, ndaj ma bëni hallall”.

Kjo fabul rrëfehet në procesverbal nga oficerët që kishin kërkuar përforcime dhe që pasi pyeten nga kolegët ata riprodhuan jo vetëm mallkimin e shoferit për gjobën por edhe faljen e tij pasi ishte i ngarkuar nga puna dhe i stresuar nga Covid-19.

Madje shoferi nuk ka përtuar të tregojë se në kushtet e kësaj ngarkese që nuk i ka mjaftuar, i është shtuar edhe frika që e ka shtyrë t’i japë gaz makinës.

Burimet e gazetës” Si” pohojnë se procesverbali u hartua nga oficeri i policisë gjyqësore me inicialet N.P pranë komisariatit numër katër, i cili e ka vendosur dorën në zemër dhe është shfaqur tolerant.

Por ka të tjerë që nuk i gjejnë përherë policët në humor, veçanërisht kur ata justifikohen me emrin  e heroit kombetar Gjergj Skënderbeut. Shtetasi F. Gjoni  nga Tirana u kap gjatë një kontrolli rutinë në rrugën “Sotir Caci” ku dhe iu gjet një stemë me mbishkrimin Policia e Shtetit.

Zyrtarisht policia deklaron për Gazetën “Si” se së bashku me këtë simbol, 33-vjeçarit iu zbulua edhe një kartë e Ministrisë së Brendshme  me mbishkrimin ” shtëpia e pushimit Durrës”.

Ai u shoqërua në komisariat bëhet me dije për gazetën Si pasi justifikimi i tij ishte dukshëm i paarsyetuar, por që pas disa orëve i riu u dërgua në shtëpi ndërsa u njoftua nga agjentët e krimeve se do të hetohej për mbajtje pa të drejtë të uniformës.

Siç bëjnë me dije burimet, F. Gjoni dha këtë alibi ‘ stemën e policisë e gjeta në plazh dhe ngaqë ishte me stemën e Skënderbeut e mora ta mbaja në makinë, me qëllim që kur të takoja ndonjë polic t’ia dorëzoja”.

Burimet e komisariatit numër 4 shtojnë se stema dhe karta e ministrisë u sekuestruan ndërsa i riu do të ketë pasoja pasi do të vendoset nën hetim.