Pacolli për Çim Peka LIVE: Na mungon diçka e shenjtë, bashkimi

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli, ishte i ftuar në Çim Peka LIVE në këtë ditë me zhvillime mjaft të bujshme në Kosovë.

“Sot është një ditë e vështirë për Kosovën, është një goditje e rëndë, jemi në krizë kushtetuese dhe në boshllëk politik.

Unë besoj se e drejta universale do të vijë. Ajo mund të vonojë, por do të vijë një ditë. Unë shpresoj shumë që këta burra që sot janë në Hagë me dinjiteti dhe burrëri do të sfidojnë këtë sfidë jashtëzakonisht të madhe dhe do të kthehen kryelartë në Kosovë. Unë besoj në pastërtinë e UÇK-së.

Zoti Thaçi ka qenë aktori kryesor në UÇK, por aq sa e njoh atë, ai nuk ka qenë një vrasës. Ai ka drejtuar një grup vullnetarësh që kanë marrë armët për të mbrojtur popullatën e Kosovës,” tha Pacolli.

I pyetur se çfarë do të ndodhë në skenën politike kosovare tani, Pacolli tha: “Ne na mungon diçka e shenjtë: bashkimi. Mund ta shihni nga intervista juaj se sa i ndarë është spektri politik”.

Më pas moderatori lexoi pjesë nga akuza e Gjykatës Speciale ku thuhet se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli akuzohen për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

“Unë besoj se janë thashetheme ose dëshmi të rreme,” tha Pacolli.