Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Mircea Lucescu vrapoi për te Leo Messi. Ja arsyeja

Dinamo Kiev bëri një paraqitje dinjitoze në “Camp Nou”, edhe pse humbën me rezultatin 2-1 ndaj Barcelonës. Prova është se portieri Marc Andre ter Stegen ishte njeriu më i mirë I ndeshjes për vendasit.

Pas përfundimit të ndeshjes, një episod i veçantë është kapur nga kamerat e stadiumit. Menjëherë pas vërshëllimës së arbitrit, Mircea Lucescu shkoi direkt te Lionel Messi, për ta takuar.

Tekniku 75-vjeçar rumun i kërkoi argjentinasit fanellën e tij të lojës dhe Messi ia plotësoi kërkesën, duke thënë se ai do t'ia jepte në dhomat e zhveshjes, pasi protokolli i UEFA-s nuk ia lejon këtë veprim.

Sipas “eurosport.ro”, Il Luce ka një koleksion mbresëlënës të fanellave, mes tyre edhe atë të Pele-s të shkëlqyeshëm nga Kupa e Botës 1970.