Denar Biba: Zgjedhjet e 30 qershorit nuk ishin demokratike, ishin surrogato!

Zgjedhjet në SHBA kanë sjellë në ngarkesë politike interesante në Tiranë. Pothuajse të gjithë njerëzit që merren me politikë kanë bërë tifo, mbajtur qëndrime, ca publike dhe ca jo publike. Për shembull, ish-deputetja Dhurata Çupi përmes një postimi ka thënë se, “sot i ndjekim me interes zgjedhjet në Amerike dhe besojmë se e mira vjen vetëm përtej oqeanit dhe se ShBA do të vazhdojnë të jenë përkrah vendit tonë e se ne do të mbetemi një aleat i vogël i tyre. Kushdo kandidat që të fitojë, urojmë që të mbështesë Shqipërinë, Kosovën dhe kombin tonë në tërësi”. Komenti i znj. Çupi është politikisht korrekt dhe brenda kornizave. Ajo që bën më shumë përshtypje është komenti më poshtë i ish-nënkryetarit të KQZ, Denar Biba, i cili përmes një komenti të gjatë, ka thënë se zgjedhjet në 30 qershor në Shqipëri nuk ishin demokratike. Ishin surrogato.

Komenti i Denar Bibës

Nëse Dhurata me lejon (përndryshe mund ta fshijë pa asnjë problem këtë koment, pa asnjë keqkuptim prej meje) po them diçka, me dëshirën e mirë për të sqaruar në respekt të FAKTEVE te padiskutueshme. E përsëris: thjesht në bazë të fakteve, jo interpretimeve:

– Z. Trump është President i SHBA.

Si President është edhe kreu i ekzekutivit. Ambasadat amerikane në botë, ndër to edhe ajo në Shqipëri, janë administrate. Ambasada e SHBA në Tiranë bashkëpunon ngushtë me ekzekutivin e majtë shqiptar. Nga opozita (e djathta) shqiptare, nën zë akuzohet se disa ambasadorë në vijim kanë mbështetur qëndrimet e “soroistëve” në pushtet në Tiranë.

Mjafton vetëm një urdhër apo koment i Presidentit Trump në adresë të ambasadës së SHBA në Tiranë a gjetiu që politikat e ambasadës të ndryshojnë 100%, duke qenë se ambasada nuk ka një qëndrim të vetin, por absolutisht atë të lidershipit në Uashington. Ky urdhër nuk është dhënë asnjëherë, përkundrazi…

– Zgjedhjet lokale të 30 qershorit nuk ishin demokratike. Personalisht i kam cilësuar si zgjedhje surrogato.

Ato zgjedhje u bënë përmes ndikimit të plotë të z.Palmer, funksionar i lartë i administratës së z.Trump. Do të mjaftonte vetëm heshtja e administratës Trump që situata e para 30 qershorit të ishte ndryshe nga ajo që dëshmuam. Por jo, nuk pati heshtje, pati gati-gati kërcënim ndaj atyre që do pengonin zhvillimin e zgjedhjeve.

Ja këto doja të vëreja. Si të vërteta absolute.

Personalisht tentoj të jem mendjehapur ndaj politikave, duke qenë se aktualisht diferencat mes të majtës e të djathtës janë lëbyrur ca si shumë dhe identitetet përkatëse janë sfiduar keqazi. Në këtë pikë, atashimi me kandidatë të caktuar, me ndjesinë se kemi të njëjtën ideologji politike, nuk duhet të na verbojë, përsa kohë që faktet flasin ndryshe. Për dy pikat që kam renditur më lart, ulërijnë, nuk flasin./Faktor.al