Kualifikimi historik në Champions, Duka përgëzon vajzat e Vllaznisë: Një arritje e shkëlqyer!

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka nuk ka kursyer elozhet për vajzat e Vllaznisë që arritën të kualifikohen në raundin tjetër të Champions Leagues.

Vllaznia e femrave mposhti me penallti kampionet e Turqisë, ALG Spor Kulubu.

Jashtëzakonisht i lumtur me fitoren e sotme të Vllaznisë në turin e parë kualifikues të UEFA Women’s Champions League ndaj kampiones së Turqisë, ALG Spor Kulubu! Ka qenë një ndeshje vërtetë emocionuese dhe e luftuar deri në fund.

Një arritje e shkëlqyer për vajzat kuqeblu, por edhe për futbollin e femrave. Le të shpresojmë që ky sukses të pasohet nga të tjera triumfe dhe Vllaznia të avancojë në fazën e grupeve të Champions League për femra.

Do të ishte një sukses i merituar për këtë ekip, por që njëkohësisht tregon se futbolli i femrave në Shqipëri është rritur në aspektin cilësor vitet e fundit.

Urimet më të mira për drejtuesit e klubit, stafin teknik dhe shpresoj që Vllaznia të vazhdojë të jetë një burim frymëzimi për të gjitha vajzat që duan të luajnë futboll! Jemi krenar për ju!, shkruan Duka.