Ata s’kanë kombësi, Doruntina po!

Të errët, diabolikë, pjesë e një sekti jo human, të sëmurë, janë ata që shkrehën armët mbrëmë në Vjenë, në një prej lagjeve më të frekuentuara të qytetit.

Kërkimi i parë për ta, i nxituar dhe emocional, ishte për t’i gjetur një vjegë, sado irracionale.

Një nevojë për të shpjeguar atë lloj barbarie. Pra u zbulua se terroristët kanë një prejardhje shqiptare, me rrënjë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Një rendje kjo që nuk sjell reflektim apo qetësi, por me gjasë një ndasi, që mbjell sinore të tjera.

Ata që morën jetë të pafajshme janë rreshtuar me të keqen, dhe kjo automatikisht i përjashton nga një përkatësi të nocionit, qytet, shtet, vend. Janë vetëm të mjerë që ushqehen me urrejtje skutave dhe me gjasë, edhe me proteina për muskuj. Furacakë po ashtu që nuk pranojnë debat, ide, apo argument, por veprojnë natën në pabesi.

Ata që meritojnë në këtë rast të veçohen, të identifikohen me kombësinë e tyre janë dy djem dhe një vajzë nga Kosova, anëtarë të policisë së Vjenës, që morën pjesë në aksion për të ndalur çmendurinë e shpërthimit djallëzor e për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Doruntina, quhet policja që patrulloi dhe ndoqi mbrëmë keqbërësit, si për të na kujtuar një legjendë të fjalës së dhënë. Një prej miteve shqiptare. Me siguri është betimi në akademi, po dhe edukimi me të cilin është rritur.

Adem, thirret polici tjetër, që ka merita dhe nuk ka kursyer asgjë.

Gjasat janë që nga mbremja e 2 nëntorit më shumë të kujtohen emrat e agresorëve pa fe e atdhe, ndërsa më pak këta që i dolën të keqes para.

Po kjo nuk do ta ndryshojë dot historinë.

Shqiptarët nuk mund të damkosen në orientimin e tyre. Më proeuropianët dhe më proamerikanët në glob. Kanë boll vraga për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit për shkak të politikanëve.

Kushdo që nxiton t’i vendosë kriminelëve etiketën e kombësisë, tregohet i padrejtë dhe kryen në të vërtetë një krim tjetër duke lënduar miliona shqiptarë që e duan Europën, e duan Vjenën, i duan vlerat e qytetërimit perendimor dhe po bëjnë gjithçka me shumë mund e sakrifica për të patur një shans për integrim, për të qënë pjesë e asaj familje./ Mapo/