EMRI/ Në kërkim prej 2015-tës, arrestohet anëtari i grupit të Tafilit, ja denimi që ka marrë nga gjykata

Policia e Tiranës ka mundur që të vërë në pranga një 29-vjeçar.

Ai është Albano Beqiraj, për të cilin Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë një dënim me katër vite burg, nën akuzën e “sigurimit të kushteve, mjeteve dhe materialeve për të kryer vrasje”.

Beqiraj është pjesë e grupit të Admir Tafilit, i njohur ndryshe dhe si grupi i vrasësve me pagesë, që janë gjetur fajtorë për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në vendin tonë.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Albano Beqiraj, 29 vjeç, i cili, me vendimet penale të Gjykatës Shkallës Parë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Gjykatës Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, është dënuar me 4 vite burgim, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore“, njofton Policia e Tiranës.

Kujtojmë se vetë Tafili është i dënuar me burgim të përjetshëm, pasi është gjetur fajtor për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, të shtetasit Brahim Mani, kryer në bashkëpunim, “Vrasjes me paramendim” të shtetasit Edmond Cakmashi e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë,

“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”të shtetasit Leonard Murataj, kryer në bashkëpunim, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”të parashikuara nga nenet 78/2, 78/2 e 22, 80, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal.