2.5 miliona banorë/ Sllovakia testoi gjysmën e popullsisë brenda 1 dite

Pothuajse gjysma e popullsisë së Sllovakisë është testuar për Covid-19 të shtunën, si një përpjekje për ndihmuar në luftën kundër virusit, raporton The Guardian

Skema, e para për një vend me madhësi të Sllovakisë, po shihet nga vendet e tjera si një mënyrë efektive për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe për të shmangur ngarkesën e sistemeve shëndetësore.

Ministri i Mbrojtjes, Jaroslav Nad tha të dielën se 2.58 milionë sllovakë u testuan të shtunën dhe 25,850 ose 1% rezultuan pozitivë dhe duhej të karantinoheshin.

Sllovakia ka një popullsi prej 5.5 milionë banorësh dhe synon të testojë sa më shumë, përveç fëmijëve nën 10 vjeç.

Më shumë se 40,000 mjekë dhe ekipe të ushtrisë, policisë, punonjës administrativë  vëzhguan 5,000 qendra testimi. Testimi ishte falas dhe vullnetar, por qeveria u shpreh se do të merrte masa ndaj njerëzve që refuzonin të testoheshin duke i ndaluar të shkonin në punë.

Kryeministri, Igor Matovic, kërkoi falje për ushtrimin e presionit mbi njerëzit, por tha se kërkesa ishte e justifikuar.

‘Liria duhet të shkojë së bashku me përgjegjësinë ndaj atyre që janë më të dobët midis nesh, pacientëve të onkologjisë, të moshuarve, njerëzve me sëmundje të tjera,’ tha ai në një konferencë shtypi.

Sllovakia kishte relativisht më pak të infektuar në pranverë dhe verë pasi vendosi shumë shpejt kufizimet. Por numri i rasteve është  rritur në javët e fundit, duke ngritur shqetësimin se vendi mund të përballet me të njëjtin problem si Republika Çeke, e cila ka shkallën më të lartë të vdekshmërisë në Europë.

Skema është përballur me kundërshtimin e disa ekspertëve të cilët thanë se testet e antigjenit  janë më pak të sakta sesa testet laboratorike PCR. Sidoqoftë, qeveria po planifikon një raund të dytë testimi fundjavën e ardhshme.