Basha: Që nga viti ynë i parë në pushtet, 10 mijë studentëve do t'u paguhen stazhet

Një nga studentët protestues i ka drejtuar një pyetje kreut të opozitës Lulzim Basha, se si do të veprojë ai me Arsimin, duke qenë se e shohin si Kryeministrin e ardhshëm të vendit.

Basha tha: Për çështjen e arsimit, problem kryesor është rënia në pikiatë e cilësisë së mësimdhënies për shkak të politikave antishkencore dhe militante të qeverisë. Qeveria e ka parë arsimit për të kënaqur orekse politike, duke përdorur vendet e mbetura bosh të mësuesve si karamele për të sjellë aty njerëz që nuk kanë asnjë lidhje shpesh me lëndën që duhet të kapin mësim…

Unë ju garantoj një gjë, që guri i mullirit që rrotullohet dhe bluan fatet e shqiptarëve sa herë që ka rotacion politik do të ndalë.

Kësaj radhe ndryshimi do të jetë për mirë për të gjithë, do të thotë që në arsim do të nderojmë, do të mbajmë, do të financojmë më të aftët sikundër do të thithim më të aftët që janë larguar pa të drejtë apo ata që kanë mbaruar studimit.

Por që të ndodhë kjo, patjetër, si në çdo fushë tjetër e veçanërisht në fushën e arsimit,  ju duhet të keni praktike e kjo praktikë tek arsimi  më shumë se në çdo fushë tjetër duhet të jetë një praktikë e paguar nga shtetit.

Duke nisur nga viti ynë i parë në pushtet, 10 mijë studentë do të kenë mundësinë të kenë stazhe të paguara dhe kjo do të ketë prioritetet e veta ku një prioritet do të jenë mësuesit, pedagogët dhe edukatorët e brezit të ardhshëm. Do të keni mbështetje të plotë financiare, jo llafe!”