VIDEO/ Loja me ‘avokatët’ e huaj në Arbitrazh, Shqipëria humbet 3.4 mln euro kot

Shqipëria ka paguar mbi 3. 4 milionë euro për avokatët e huaj në arbitrazh në një kohë që nuk ka qenë e nevojshme.

KLSH ka gjetur shkelje, duke e konsideruar abuzime me fondet për vitet 2017-2018. Në raportin e saj KLSH kërkon që përgjegjësit për këtë të evidentohen dhe të ndëshkohen.

Qeveria Shqiptare ka shpenzuar 3.4 milionë euro për zyra të huaja avokatore lidhur me vetëm 3 çështje në Arbitrazhin Ndërkombëtar në periudhën 2017-2018, ndërkohë që rastet ishin të thjeshta dhe mund të përfaqësoheshin nga Avokatura e Shtetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit e vlerëson se kjo kosto e tepërt për Buxhetin e Shtetit ka ardhur si rrjedhojë e ‘mosmarrjes përsipër nga Avokati i Shtetit Shqiptar, duke u justifikuar pas faktit se janë çështje me karakter të veçantë’.

Por, përtej këtij justifikimi, Kontrolli i Lartë i Shtetit e konsideron të pakonceptueshme që një institucion si Avokatura e Shtetit të angazhojë kompani private pa lidhur kontrata paraprake me to, në shkelje flagrante të ligjit.

Konstatimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjenden të detajuara në Raportin e Auditimit të kryer në Avokaturën e Shtetit për vitin 2018. Organi më i lartë auditues vlerëson se Avokatura e Shtetit ka pasur dhe ka të gjithë burimet njerëzore dhe zotëron ekspertizën e duhur për fusha të caktuara të veprimtarisë shtetërore e publike.

E, megjithatë, Avokatura e Shtetit, një institucion në varësi direkte të Edi Ramës, ka vendosur që të paguajë miliona euro për avokatë të huaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka marrë në analizë, ndër të tjera, edhe tre çështjet, për të cilat shteti shqiptar ka shpenzuar 3.4 milionë për zyra të huaja avokatore.

‘Nga auditimi i tre çështjeve (‘Anglo-Adriatic Group Limited kundër Shtetit Shqiptar dhe ‘T.A.A.’ Ltd kundër CEZ, sot OSHEE dhe CEZ kundër ‘EFT’) – thuhet në Raportin e Auditimit të KLSH-së- ‘u konstata se këto çështje nuk kanë natyrë të veçantë dhe të ndërlikuar juridike, pasi referuar fakteve të evidentuara edhe më lart, ato janë të thjeshta (jo teknike), çka nënkupton që Avokatura e Shtetit duhej ta kishte përfaqësuar vetë Shtetin Shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar, në mënyrë që të mos e rëndonte Buxhetin e Shtetit me pagesën ndaj zyrës së huaj të avokatisë’.

Në të dy gjetjet e mësipërme evidentohet se, për rastin AAGL zyra e avokatisë do t’i kushtojë Shtetit Shqiptar 2.000.000 euro; në rastin Trans Atlantic Albania Ltd kundër MEI, AKBN, dhe A. SH.A, zyra e avokatisë do t’i kushtojë Shtetit Shqiptar 1.400.000 euro dhe për rastin CEZ kundër EFT, zyra e avokatisë do t’i kushtojë Shtetit Shqiptar 340.000 euro.

Pas konstatimeve, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në atë raport, kërkonte marrjen e masave konkrete dhe përcaktimin e përgjegjësive.

 ‘Avokatura e Shtetit të marrë masa, dhe të analizojnë me grup pune të veçantë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë për përdorimin pa efektivitet, pa ekonomicitet dhe pa efiçencë të fondeve buxhetore në vlerën prej 3,740,000 euro dhe të nxjerrë përgjegjësitë për çdo rast’, thuhet ndër të tjera në Raportin e Auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në zyrën e Avokaturës së Shtetit, për vitin 2018.

Pas këtij raporti tejet kritik, nuk ka asnjë të dhënë publike nëse Avokatura e Shtetit dhe strukturat e tjera qeveritare të kenë marrë masat përkatëse, të rekomanduara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

/SYRI TV