Basha: Edhe sa njerëz duhet të vdesin për fajin e Ramës???

Ka vazhduar debati në distancë sot midis kryetarit të opozitës Lulzim Bashës dhe kryeministrit Edi Rama, pas thirrjes që Basha i drejtoi Ramës për të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të përballuar pandeminë.

Rama replikoi me ironi me Bashën, por kryetari i PD ngulmoi në thirrjen e tij të fortë me seriozitet nuk është koha për sulme politike, por të jepen para për testime, ilaçet dhe të pamundurit.

“Gjendja po përkeqësohet, - ka nënvizuar Basha. -  Për shkak të Ramës, njerëzit presin me ditë për t’u testuar, nuk kanë lekë për ilaçet e dergjen të sëmurë në shtëpi. Shëndeti dhe pamundësitë ekonomike janë shqetësimi i çdo shqiptari sot. Por në vend që të japë para për testimet, ilaçet dhe të pamundurit, Rama e ka mendjen tek sulmet politike, ndërkohë që vazhdon të paguajë miliona për inceneratorët dhe tenderat korruptivë. Edhe sa njerëz duhet të vdesin për fajin e Ramës???”

Kjo deklaratë e dytë e Bashës erdhi pasi Rama vazhdoi edhe sot me nënvleftësimin e situatës së krijuar në vend nga Covid-19. “Lulzim Basha është kapur pas Covidit si i mbyturi pas fijes së barit dhe pretendon se ai do ta kishte ndaluar valën e dytë, ndërkohë që nuk ndalon dot as aleaten e tij në fushatën e saj për përhapjen e Covidit! – tha Rama. - Mirë u çmendën po pse të gjithë njëherësh, thoshte Shvjeku i shkretë!”