Vdes ish-kapiteni në moshën 36-vjeçare, ekipi i dedikon fitoren e derbit

Një ngjarje e rëndë tronditi klubi skocez të Hearts. Ish-kapiteni  historik, Marius Zaliukas, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare.

Lituanezi ishte i sëmurë nga një sëmundje e motoneuroneve.

Lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar nga Federata Lituaneze gjatë gjysmëfinales së Scottish Cup, teksa Hearts po përballej kundër rivalëve të qytetit të Hibernian.

Menjëherë pasi mësuan lajmin e trishtueshëm, futbollistët dhe drejtuesit e klubit ia dedikuan fitoren në derbi, ish-kapitenit historik.

“Do të ketë një nderim të plotë, por për tani i dërgojmë mbështetjen tonë familjes e miqve të Marius. Kjo fitore ishte për ty, kapiten”, ka shkruar klubi i Hearts.

Tekniku i Hearts, Robi Neilson ka shtuar: “Jam krejtësisht i shkatërruar. E mësova lajmin pak para fillimit të ndeshjes, lojtarët nuk e dinin, e mësuan vetëm pas ndeshjes. E njihja mirë Marius, kemi qenë për disa vite bashkë”, deklaroi ai.