Vokshi citon ligjin: Universitetet online në shkelje të ligjit

Për ish-deputeten Albana Vokshi, asnjë ligj në Shqipëri nuk e njeh studimin online.

Duke cituar ligjin, Vokshi shkruan në Facebook se universitetet online janë në shkelje.

Reagimi i plotë i Albana Vokshit:

Një shkresë me firmën e një drejtori në Ministrinë e Arsimit ka vendosur për të ardhmen e studentëve dhe universitet online në shkelje të çdo ligji.

Ligji i Arsimit të Lartë, në nenin 59 përcakton:

Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë:

a) Studime me kohë të plotë

b) Studime me kohë të zgjatur

Pra, Ligji nuk i njeh studimet në distancë (online).

Studentët kanë qenë më të diskriminuarit gjatë periudhës së pandemisë. Pjesa më e madhe e tyre nuk patën asnjë mundësi të ndiqnin studimet online, nuk patën asnjë mbështetje për punësim, asnjë paketë ndihme.

Sa antihumane duhet të jetë një qeveri që vetëm 3 ditë para fillimit të vitit akademik t’i mbyllë universitetet? Sa është kosto për çdo familje studenti? Sa studentë nuk do mund të ndjekin dot studimet pasi nuk kanë asnjë mundësi në shtëpitë e tyre??

Është më keq se në diktaturë.

Por historia ka treguar që diktaturave fundi u vjen nga të rinjtë.