VIDEO/ Arsenali thyen tabunë, fiton pas 14 vitesh me Manchesterin në ‘Old Trafford’

Arsenali ia del më në fund të fitojë në “Old Trafford”, ku për herë të fundit kishte triumfuar 14 vite më parë, më 17 shtator të vitit 2006.

“Topçinjtë” e thyen këtë tabu nën drejtimin e Mikel Artetas, në javën e 7-të të premier League-s, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Pierre-Emerick Aubameyang.

Në “Pallatin e Ëndrrave” u zhvillua një betejë e fortë, me dyluftime të ashpra në çdo sektor të fushës, por rastet e pastra në portat respektive ishin me pikatore.

Momenti i parë për t’u veçuar është ai i minutës së 22-të, kur Greenwood u ndal nga portieri Bernd Leno.

Kundërpërgjigjet Arsenali me Willian në minutën e 39-të, por goditja e brazilianit “qethi” traversën, me topin që përfundoi në fundore.

I afrohet golit Aubameyang në minutën e 54-t, por topi përfundoi shumë pranë shtyllës. De Gea reagoi në lartësinë e detyrës pas tentativës së Partey-t në minutën e 58-të, për të ardhur më pas tek momenti që përcaktoi fituesin.

Pogba shkaktoi penallti në minutën e 68-të, me gjyqtarin Michael Dean të vendosur për të bërë me shenjë nga pika e bardhë.

Aubameyang merr përsipër ekzekutimin e penalltisë, duke kaluar në epërsi Arsenalin.

Manchester United shtoi përpjekjet në minutat e mbetura, duke hedhur në fushë Cavanin dhe holandezin Van de Beek, por nuk kishte qartësinë e duhur për të shkuar deri te goli.

Vlen të veçohet rasti i minutës së 85-të, kur Van de Beek u ndal nga shtylla.

Festa në fund ishte e gjitha për “Topçinjtë” që thyen një tabu 14-vjeçare, pas dy humbjeve radhazi me Leciester City-n dhe Manchester City-n.