Vasili: Pse deklarata e Komitetit të Ekspertëve s'duhet marrë shumë seriozisht

"Kur Komiteti i Ekspertëve nuk merr seriozisht veten nuk ka asnjë arsye për të bërë as debat dhe as diskutim me të," tha sot ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, nënkryetar i LSI dhe gjykoi se:

"Në deklaratën e tij, Komiteti i Ekspertëve thotë: "Ne, anëtarët e Komitetit Teknik të ekspertëve, jemi profesionistë të fushës sonë dhe sot, jemi pjesë e këtij Komiteti, të ngritur në zbatim të Ligjit mbi Epidemitë"! - Ligj për epidemitë në Republikën e Shqipërisë nuk ka!

Ligji mbi të cilin është ngritur ky Komitet është: Ligji.nr. 15/2016 "për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive." Nuk kemi pra pse i keqkuptojmë anëtarët e Komitetit, të cilët nuk dinë as emrin e ligjit mbi të cilin është ngritur Komiteti ku këta janë edhe anëtarë. Kur Deklaratat e Komitetit përgatiten në zyrat e shtypit të Edi Ramës të tilla broçkulla do të shkruhen." 

Në vijim, Vasili ka shtuar edhe një Post scriptum, ku me ironi shprehet:

"Shumë "interesant" preokupimi i Komitetit për formimin profesional të Lulzim Bashës, që nuk mundësoka vlerësime për pandeminë. Rëndësi ka që Komiteti është " shumë i lumtur" se formimi profesional prej piktori i Edi Ramës qenka i duhuri për të bërë vlerësime për pandeminë.

Formimi i Edi Ramës është tamam i "duhuri" për të koleksionuar budallallëqet e tij publike pa fund, të cilat duhet ta kishin bërë me kohë të paktën Komitetin të skuqej, meqënëse s'ia mbante as t'i thoshte dot Edi Ramës të mbyllte gojën."