Edi Rama zgjon nga gjumi Komitetin Teknik, për të bërë politikë me alarmin e Bashës

Rama nxjerr  Komitetin Teknik, që të replikojë dhe të bëjë politikë me Bashën!

Në konferencën e kësaj të shtune me gazetarët kreu i Partisë Demokratike lëshoi akuza të forta me fakte, se sistemi shëndetësor në këto kohë që virusi Covid-19 po agravon me shpejtësi është drejt kolapsit.

Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama, se po fshehin shifrat reale të të infektuarëve, pafuqinë dhe abuzimin e sistemit për të bërë testime, kaosin dhe mungesën e një strategji... e të tjera.

Por këtij alarmi dhe shqetësimi, Edi Rama, i është përgjigjur duke “zgjuar nga gjumi” të ashtuquajturin Komitet Teknik të Ekspertëve, i cili që kur ka nisur pandemia shfaqet vetëm për replika politike.

“Me keqardhje dhe indinjatë të thellë, dëgjuam akuzat e bëra ndaj nesh nga ana e Kryetarit të Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha.

U bë kohë që përveç përballimit të një situate shumë të vështirë, siç është ajo e pandemisë së Covid-19, jemi gjendur të sulmuar dhe të fyer në punën tonë, duke filluar nga kryetari i PD dhe disa pak politikanë të tjerë.

Ne, anëtarët e Komitetit Teknik të ekspertëve, jemi profesionistë të fushës sonë dhe sot, jemi pjesë e këtij Komiteti, të ngritur në zbatim të Ligjit mbi Epidemitë, për t’i shërbyer qytetarëve shqiptarë në këtë kohë tejet sfiduese

Ne nuk jemi “fasadë” e askujt, siç deklaron Z. Lulzim Basha. Ne nuk pranojmë akuzat për dështim në punën tonë, të bëra nga një kryetar partie, formimi profesional i të cilit nuk ka se si t’ia lejojë të bëjë gjykime në lidhje me punën e këtij komiteti.

Në çdo ditë të punës sonë, ne udhëhiqemi vetëm nga parimet e profesionalizmit dhe çdo vendim që kemi marrë, e kemi marrë duke u bazuar vetëm në këto parime.

Ne mendojmë se strategjia që kemi ndjekur deri më sot, ia ka dalë të minimizojë numrin e infeksioneve dhe fataliteteve të shkaktuara nga koronavirusi, gjë që e tregojnë fare qartë edhe shifrat krahasuese me vendet e rajonit, dhe ato të Evropës.

Siç është shprehur edhe kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, përdorimi politik i pandemisë i shërben vetëm përkeqësimit të situatës dhe është i dëmshëm për mbrojtjen e shëndetit publik.

I bëjmë thirrje Z. Basha që të tërheqë akuzat e bëra në adresë të anëtarëve të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të heqë dorë nga përpjekja për baltosjen e punës së autoriteteve shëndetësore, që në këto kohë të pandemisë po bëjnë një sakrificë të jashtëzakonshme”, shkruhet në një deklaratë të këtij Komiteti menjëherë pas konferencës së Bashës.

Kujtojmë se ky Komitet për shumë kohë në fillim të pandemisë, në kuptimin e vërtetë të fjalës ishte “fantazmë”. As emra as fytyra, as dalje për të sqaruar dhe publikun e alarmuar. Askush nuk e dinte se cilët ishin “specialistët” e këtij institucioni, pasi punën e tyre pretendonte se e bënte Edi Rama që mbiu 24 në 24 orë në ekran dhe rrjetet sociale duke bërë edhe mjekun, edhe specialistin e shëndetit publik, edhe virologun, edhe epidemologun.

Gjithsesi ajo që pritej nga ky Komitet pas akuzave të përsëritura gati çdo ditë nga kreu i PD-së Lulzim Basho, do të ishte dhënia e përgjigjeve për:

Përse kemi numrin më të ulët në rajon dhe Europë të kryerjes, së testimeve?!

Përse shifrat e raportuara, nuk përfshijnë me qindra raste që as nuk testohen, as nuk kurohen nga sistemi shëndetësor?!

Përse nuk ka transparencë për gjendjen e spitaleve COVID në shërbim dhe për ata që qeveria dhe Komiteti pretendon se ka hapur?!

Sa janë kapacitet me mjekë dhe infermierë dhe a e përballojnë dot situatën?!

Me çfarë ilaçesh pu trajtohen të sëmurët dhe si funksionon për qindra dhe mijëra të cilët nuk pranohen në spitale por janë të detyruar që të qëndrojnë në shtëpi?!

Këto dhe shumë pyetje të tjera që presin përgjigje janë puna e Komitetit Teknik dhe jo deklarata politike, si kjo që shpërndan sot