Pse Rama bën trimin në Liban dhe ngurron të vizitojë qoftë edhe një shtëpi në Paskuqan?

I njohur si njeriu i “surprizave” të mëdha, kryeministri Rama, njoftoi për një vizitë të beftë në Liban. Kur e lexova kalimthi, mendova se si kryesues i OSBE-së, mund të kenë pasur nevojë për ndihmën e tij, për të hetuar shpërthimin në portin e Bejrutit, ose ndonjë këshillë për qeveritarët e Libanit, sesi të riciklojnë me “kosto të lirë”, mbetjet e as shpërthimit. Por jo. Komandanti do t’i jepte dorën e fundit një operacioni shumë të rëndësishëm, për të çliruar fëmijët në një kamp sirian. Dhe si gjithnjë Rama, i merr shumë seriozisht këto çështje. Meritat ja vesh vetes, por qëndrimin e ka “shumë modest”, gati gjynahqar, që të bënë të mendosh: “E si të mos e duash këtë babaxhan”. Shkon me një xhup të dalë boje e të rrudhur, deri në Liban, nuk flet fare, nuk mban konferencë shtypi, nuk do bujë e lavdi”. Por është kujdesuar që së bashku me gazetarin londinez me origjinë shqiptare, të japin një ngjyrim shumë emocional një ngjarje, që është pagë e hapur tani e në 30 e më shumë vite që pasojnë.

Po nëse je kaq trim e i dhembshur, o Komandant, çap bashkë me gazetarë, e me këdo tjetër deri në Paskuqan

Paskuqani, Shëngjergji, Fushë-Labinoti, Golaj, Maqellara, Ostreni, Tragjasi, Kudhësi, nuk përbëjnë lajm, pasi nxjerrin lakuriq varfërinë, padijen, skamjen e mjerimin që është ulur këmbëkryq. Ah, po. Po të ishte se do të bënit qoftë edhe një monopat me asfalt, me në krye ty Komandant gati e gjithë ushtria: Belinda, Elisa, Daminani, Tani i Lamajve, e soj e sorollop do dilnit për të nxjerrë me kamera me rezolucion të lartë arritjet e Rilindjes. Libani ka shumë më rëndësi se Paskuqani. Në Paskuqan, Zall-Bastar, Allgjatë, jetojnë njerëz, “të pistë, të palarë, të pagdhendur, grindavec e hileqarë”, siç i etiketon Rilindja. Ata meritojnë vetëm atë që kenë pak tokë që e punojnë si në mesjetë, misër dhe grurë për të bërë bukë vet, mish njëherë në 2 muaj dhe gjizë, shëllirë, lakër të pazier çdo ditë. Nuk ka pikë rëndësie nëse fëmijët e Shqipërisë, enden me kilometra të tëra, për të marrë ato pak dije të çala që jep shkolla jonë. Nuk është ndonjë shqetësim i qeverisë, apo i ndonjë ministrie fakti që rrezikojnë jetën, për një të drejtë kushtetuese, sikundër është arsimi. “Ndodh” edhe në botë që fëmijët punojnë për të ndihmuar prindërit e u thyhet kurrizi që në moshë të njomë. Ky fakt nuk përbën ndonjë gjë për të habitur se ndodh edhe në Shqipëri - do të thoshte Elisa. Mund të gdhihesh e erresh pa bukë, “por edhe varfërinë, nuk është se është vetëm në Shqipëri, sidomos tani”, do të thoshte ekonomisti me famë botërore Beni. Atë e gjen kudo, madje edhe në vendet e zhvilluara. Kështu që përse Komandanti duhet të marrë këdo që do e mundet qoftë edhe deri në Paskuqan, që është afër shtëpisë së tij qeverisëse dhe asaj që banon, kur e di se “ata janë të lumtur e të begatë”, prej veprave të tij që shkëlqejnë prej ekranit e nxihen sa del në terren. Jo, njerëzit e mëdhenj, strategët me demek, duken në sfida të mëdha. Paskuqani, një vend që me siguri i ka harruar dhe emrin e adresën, është fare pa rendësi për një figurë të madhe si kryeministri ynë, kurse me Libanin është ndryshe muhabeti. Komandanti mendon dhe na e shiti se asistoi në misionin më të madh të kryer ndonjëherë kundër terrorizmit, prej trupave shqiptare pa asnjë ndihmë ndërkombëtare e për më tepër nën komandën e tij.

Por pyetja ime “për suksesin e madh” në Liban është krejt e thjeshtë: Këta fëmijë që u shpëtuan (dhe është një gjë shumë e mirë), a peshojnë apo janë më të rëndësishme se qindra-mijëra të tjerë që jetojnë në Shqipëri dhe askush nuk e di sesi e kanë hallin?

Që ta kuptoje më mirë këtë pyetje, do të mjaftonte një javë z. Kryeministër, të dilje e të vizitoje fshatrat rreth Tiranës: Paskuqan, Ahmetaq, Sauk, Suurel, Qesarakë, dhe do të shikosh sa shumë ndryshon realiteti virtual që ke krijuar rreth vetes, me atë që do të shohësh po vetë, të filtruar e informuar nga të tjerët. Nuk të këshilloj të shkosh në Ibë, Kërrabë, Kllojkë, Mushqeta, Mustafakoçaj, Vilëz e Allgjatë se pastaj do ta kuptosh (gjithnjë nëse kërkon të kuptosh diçka), se ke rrojtur e folur, nisur nga ëndrrat që thur me sy hapur në kolltukun tënd të rehatshëm të kryeministrisë. Atje do të shohësh z. Kryeministër që nënshtetasit që ti qeveris, janë plakur para kohe e kërrusur prej halleve që mbajnë mbi shpinë. Do të shohësh gra që nuk i kalojnë të dyzetat e ngjajnë si gjyshe, burrat që të kujtojnë kohën e fotove të fundit të shek.. XIX, fëmijë gjysmë të verdhë prej keq ushqyerjes e gjysmë të kuq, prej diellit që i përcëllon tërë ditën, ngase ruajnë bagëtinë ndihmojnë prindërit me ato pak të mbjella. Jepu të shohin një celular a tabletë, dhe do të habiten si indianët me pasqyrat e Kolombit, Makari tregoju një libër dhe mezi do të gërmëzojnë titullin se më tutje meken e nuk dinë të lexojnë. Dhe këta fëmijë Komandant, nuk kanë jetuar në asnjë kamp të huaj, as nuk kanë qenë të pushtuar nga ndonjë i huaj për një kohë të gjatë. Thjesht janë qeverisur keq, janë vjedhur, janë poshtëruar, janë nëpërkëmbur, janë injoruar, janë fyer e janë trajtuar si qytetarë të dorës së tretë e të katërt nën sundimin tuaj. Ti që duhet të kujdeseshe për ta, i le atje në mjerim, në skamje, në harresë dhe krejt papritur kërcen e shkon në Liban, me “plot përulësi”, për t’ju gjendur pranë fëmijëve që po çlirohen nga një kamp, në të cilën i çoi edhe pa përgjegjshmëria e prindërve të tyre dhe indiferenca jote. Po me këta, me këta që nuk kanë fuqi të flasin, të ulërasë ndonjë organizëm i huaj, e të shkojë ti filmojë, përse nuk merresh, qoftë edhe një javë të vetme, për të kuptuar se në cilën shkallë ka degjeneruar “mrekullia” jote e Rilindjes. I shan, i shtyn, e i pështyn, i le në varfërinë e vet e në fund i poshtëron në sy të gjithëve, me ndihmën e kamerave që rrotullohen si satelitë rreth teje. Shkon në Liban, për të treguar “dhembshuri” prej “shtetari”, por një ditë vetme nuk shikon lotët që nuk thahen në sytë e qindra-mijëra fëmijëve, që ke për detyrë të kujdesesh çdo orë të ditës.