Champions League/ Chelsea dhe PSG marrin fitoren e parë në grup

Pas barazimit pa gola një javë më parë ndaj Sevillas në “Stamford Bridge”, Chelsea ia doli të marrë fitoren e parë në grupet e Ligës së Kampionëve, pasi triumfoi me rezultatin e thellë 0-4 në transfertën ruse ndaj Krasnodar.

Londinezët e nisën mirë ndeshjen dhe fituan një penallti në minutën e 14’, por si rrallëherë nga pika e 11 merave, italo-braziliani Jorginho gaboi, duke e dërguar topin në shtyllë, megjithatë goli i avantazhit erdhi në minutën e 37’, kur Hudson-Odoi gjuajti në portë dhe u ndihmua nga një pakujdesi e portierit të Krasnodar për të dërguar topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë djemtë e Franck Lampard fituan një tjetër 11-metërsh, që këtë herë e ekzekutoi saktë Timo Werner, duke shënuar golin e dytë, ndërsa më pas ishin Hakeem Ziyech dhe Cristian Pulisic, që kompletuan goleadën.

Gjeti fitoren e parë në grupet e Champions-it edhe skuadra nënkampione e edicionit të kaluar, Paris Saint Germain, që triumfoi me rezultatin 0-2 në transfertën turke ndaj Basaksehir.

Francezët humbën Neymar, që la fushën e lojës i dëmtuar në minutën e 26’, por iu falën sërish italianit Moise Kean, që shënoi dy herë në portën e turqve dhe u dha fitoren të tijve.

Sulmuesi 20-vjeçar zhbllokoi sfidën në minutën e 64-t kur u lirua bukur gjatë një goditjeje nga këndi dhe gjuajti saktë me kokë, duke dërguar topin në trekëndëshin e portës.

Më pas vulosi rezultatin 15 minuta më vonë, me një rrotullim të bukur brenda zonës, që befasoi edhe portierin e turqve.