Peka: Topalli është në të drejtën e saj, lëvizja e saj nuk ka efekt

Gazetari dhe analisti Çim Peka, duke folur në edicionin e lajmeve të mbrëmjes në SYRI TV përballë moderatores Juli Krisafi, komentoi lëvizjen e re politike të ish-nënkryetares demokrate, Jozefina Topalli.

“Nuk më duket se ka një linçim ndaj Topallit. Ajo ka të drejtën e saj që të bëjë çdo lëvizje politike. Por nuk kanë të drejtë t’u kërkojnë të tjerëve të mos jenë kritikë dhe dyshues ndaj tyre".

"Ka një tezë që kjo është një lëvizje e Ramës për të dobësuar opozitën. Teza e dytë është se këto janë veprime për inat të Bashës. Të dyja mund të qëndrojnë. Cilado qoftë teza, rezultati është një: çdo votë për ta, është votë e humbur. Ndaj çdo vote të humbur, përfitues është Edi Rama,” tha Peka.

“Topalli dhe Patozi nuk janë votë gri. Nuk kanë qenë fytyra paqësore në pushtet, ndaj nuk prekin votën gri. Por edhe votën e militantëve, me 7 vite heshtje ndaj Edi Ramës, nuk e marrin. Unë si kritikues në vitin 2017 ndaj Bashës, e shoh veten të humbur kur shoh që personazhet që la jashtë, i japin të drejtë atij,” tha Peka.

“Në këtë parti, të gjithë i kanë marrë dhuratë nga Sali Berisha dhe nuk kanë fituar asgjë”, theksoi Peka.

“Nëse do ishin të sigurt te humbja e Bashës, do prisnin dhe do ia merrnin partinë nesër. Dalja e tyre në këtë moment, më lë të kuptoj se kjo opozitë i ka të gjitha shanset që të vijnë në pushtet.

Fati i Bashës është që ata që konsideroheshin kundërshtarët e tij në parti, nuk e kanë luftuar duke bërë opozitë më shumë se ç’ka bërë ai, por duke e sulmuar atë më shumë. Basha zhvlerësohet duke bërë opozitë më shumë se ai ndaj Ramës. Në të kundërt je i humbur,” tha Peka.

Ai dha edhe një detaj nga viti 1997, kur duhej të zgjidheshin nënkryetarët e Kuvendit dhe PD propozoi emrat e Pjetër Arbnorit dhe Jozefina Topallit.

“Socialistët zgjodhën Topallin si nënkryetare në vend të Pjetër Arbnorit. Ajo e ka filluar karrierën me votën e socialistëve,” tha Peka.