Meta reagon për mesazhin e McAllister: Ka ende kohë për reflektim

Presidenti Ilir Meta reagon pas deklaratës së kreut të Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, i cili shprehej i shqetësuar që mazhoranca do të votojë nesër ndryshimet në Kodin Zgjedhor pa pritur opinionin e Komisionit të Venecias.

"E falënderoj Kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, z.David McAllister, mik i vërtetë i Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për angazhimin e tij të sinqertë e të vazhdueshëm, për zgjedhje të lira e të ndershme.

Z.McAllister, si askush tjetër, bëri çdo gjë edhe katër vite më parë, që vendi ynë të mos kishte zgjedhje penalizuese për integrimin europian, siç fatkeqësisht ndodhën.

Ka ende kohë për reflektim!" shkruan Meta.

Në një mesazh në ‘Twitter’, eurodeputeti shpreh shqetësim për këtë vendim, duke thënë se pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për të pritur mendimin e Komisionit të Venecias, Shqipëria cakton për votim ditën e nesërme.

Sipas zyrtarit të lartë në Parlamentin Evropian, ndryshimet e njëanshme kushtetuese mund të bëjnë që zgjedhjet e 25 prillit 2021 të jenë joproduktive.

“Shumë i shqetësuar që, pavarësisht thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar që të presin një mendim të Komisionit të Venecias, votimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë është caktuar të bëhet ditën e nesërme. Ndryshimet e njëanshme të marrëveshjes mund të ngulitin më tej klimën e mosbesimit dhe polarizimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Ato do të jenë joproduktive ndaj përpjekjeve për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit”, shkruan eurodeputeti.