Skadon afati 2-vjeçar/ Mediat greke presion Shqipërisë: Tirana po ‘varros’ Kacifasin

Në 2-vjetorin e vrasjes së Kostandin Kacifas në Bularat të Gjirokastrës, media greke “Prothothema” i ka kushtuar një artikull ekstremistit grek.

Sipas medias greke, sot bëhen dy vite nga vrasja e Kostandin Kacifas dhe sot skadon edhe afati 2-vjeçar i parashikuar nga ligji shqiptar për hetimin gjyqësor. Tani çështja rrezikon të përfundojë në dosjen e Prokurorisë.

‘Tirana po luan jo vetëm me familjen e viktimës, por edhe me Athinën’, e cila siç thuhet në artikull, ka kërkuar në mënyrë të përsëritur përfundimin e procesit, raporton media greke.

“Prothothema” ka publikuar informacione se shtatorin e kaluar, kryeministri grek i ka kërkuar homologut të tij shqiptar Edi Rama përfundimin e shpejtë të procedurave dhe lëshimin e një përfundimi mbi vrasjen e Kacifas.

Media greke shkon deri aty sa thotë se Rama ka kërkuar dorëheqjen e prokurorëve që kishin në dorë çështjen për të çuar në pushimin e saj.

“Në përpjekje për të justifikuar amullinë, Edi Rama kishte kërkuar dorëheqjet e vazhdueshme të Prokurorëve që kishin dosjen në duar”.

Avokati i familjes së Katsifas, Efthymios Navridis deklaron se nëse çështja përfundon në dosje, atëherë do të ankohen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Prokuroria shqiptare ka shteruar gjithë kohën dhe tani mundësia e përfshirjes së çështjes në dosje është e dukshme. Lëvizja tjetër tashmë do të jetë ankesa e familjes në Gjykatë Europiane të të Drejtave të Njeriut duke kërkuar fajtorët e vrasjes së fëmijës së tyre”, shprehet avokati.